5.9 C
Prizren
E enjte, 5 Dhjetor, 2024

Po ku je o Adem Demaçi që të kemi harruar se ke jetuar ndonjëherë!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Me kohë po ndryshojmë edhe ne: Thuhet se koha i ndryshon njerëzit, i shëron plagët e atyre që i kanë pasur, hap plagë të reja në shpirt dhe ndërgjegje, vendos maska në pafytyrat e shpërfytyruara, heq maska në pafytyrat e dëshmuara, ndryshon bindje politike, tradhtarët i bënë patriotë me intervenime politike, ndryshkun moral dhe kombëtar i mbylon me flakërimë të arit, i jep poste të rëndësishme një hajvan gomarit sikur që ia tredhë koçet filan politikanit a kryetarit! Po e sheh se edhe unë, si një mashtrues potencial, kam filluar të ndryshoj. Dikur të quaja Baca i Madh Adem Demaçi, kurse tani vetëm Adem Demaçi. Madje e kam vënë këtë në titullin e shkrimit për të dëshmuar se po ua luaj bishtin atyre që të kanë përndjekur dhe po u përshtatem pushteteve të kaluara, e sidomos këtij që ka ardhur. Edhe vetë më thoshe se frika është njerëzore, se distancimi nga e kaluara e gabuar është hyjnore nëse bëhen për komb, fe dhe atdhe! Sot e kishin bërë një ekspozitë me fotot që i kishin bërë në periudha të ndryshme të jetës njëmijëvjeçare që e bëre sikur edhe portrete të pikturuara nga artistë të shquar dhe patriotë të dëshmuar, politikisht të dështuar.

Sot takova disa shokë që ende të kanë mbetur besnikë, gjysmëbesnikë dhe jobesnikë, shokë të idealit dhe shokë të interesit që ende të përdorin si faturë për t’i mbuluar babëzitë dhe hyrjen thellë në lakra. Ishte doktori Hakiu që ende është i palëkundur dhe nuk i është nënshtruar apo dorëzuar asnjë tundimi, Dul Teraku, Nuhi Llapqini dhe Baraleci. Mungonte Elmiu sikur edhe Binak Dinaj – Naku për t’u kompletuar grupi që rrinim bashkë, që vazhduam të jemi bashkë, ndonëse nuk je me ne por se gjithmonë ishe dhe mbete ylli ndriçues dhe orientues në rrugëtimin jetësor ndonëse, siç thonë në Rahovec, kemi hyrë në rrugën vellika teposhtëza. Ishte edhe Bekimi i Qalit, shoferit, përcjellësit dhe këshilltarit e kohëve më të vështira, kohëve të luftës kur fasulja hahej kokërr-kokërr dhe kur edhe ëndërra e kishte tjetër kuptim.

Baca Adem, thoshe se Kosova dhe shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më mirë. Se qenia jonë kombëtare ka shpëtuar dhe se më nuk rrezikohet as nga Serbia, as nga Kina e as nga Rusia. Në fakt, na ka hyrë frika në palcë nga Kina, nga koronavirusi. Për Serbinë mos ke merak, është këtu, e fortë, por jo në krye të oxhakut. E sollën dhe e forcuan shokët tanë, kurse “krahu paqësor” asnjëherë nuk e pati larguar, as nga zemra e as nga mendja.

Në Kosovë kemi ndërrim të pushtetit dhe qeverisë. Shkoi krahu i luftës, erdhi shqiponja dykrenore, LV dhe LDK. Prandaj rri i qetë atje ku je se ka kush ta mbrojë Kosovën. Kosova është shndërruar në vend të dhunshëm, madje shumë të dhunshëm. Merre me mend se çfarë dhune është ushtruar ndaj zëvendsëkryeministrit të parë Avdullah Hotit; ia kanë rrezikuar jetën duke e gjuajtur me vezë të “Konsonit”. Me të drejtë kanë reaguar të gjithë; nga subjektet politike në pushtet, ambasadorët e vendeve të fuqishme dhe pritet të deklarohet edhe NATO, BE dhe Departamenti i Shtetit. Na turpëruan, o Bacë! Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, të lavdëruan edhe ata që të kanë pushkatuar shumë e shumë herë, të kanë vrarë për së gjalli, të kanë shpallur të matufosur, si baba të Ballkanisë dhe vëlla të serbëve, nuk të kanë lënë kurrë të të ngrohë dielli politik duke të margjinalizuar dhe duke favorizuar ata që, jo se nuk kontribuan asnjë minutë të vetme për Kosovën, por se tërë jetën ia kushtuan luftës kundër Kosovës duke i shërbyer qençe Jugosllavisë dhe Serbisë. Sot, o Bacë, fëmijët dhe pasardhësit biologjikë të bastardëve kombëtarë dhe njerëzorë janë të punësuar si këshilltarë, ambasadorë, konsuj dhe janë bartës të posteve të larta institucionale. Fëmijët tanë, ndonëse kanë mbaruar shkollimin e duhur, punojnë kamerierë, punëtorë fizikë apo kërkojnë rrugë dhe mundësi t’i thonë Kosovës lamtumirë. Fëmijët e politikanëve, ndonëse një numër i tyre i kriminalizuar dhe me koeficient të jointelegjencës si të një të sëmuri me të meta mendore, mbajnë disa vende të punës, mbyten në luks dhe e shëtisin botën, me para të vjedhura nga shtresat e varfëruara, fëmijët tanë e kanë problem ta vizitojnë shpellën e Gadimes.

Kosova sot është në një ankand publik ku nuk e ka të sigurt as territorin e as pavarësinë. Sot jeni me Mitrovicën, nesër mund të jeni pa të! Ndrikullat ndërkombëtare po e abortojnë Kosovën, së bashku me mamitë politike të Kosovës të mbushura me injorancë të skajshme dhe të shantazhuara me çka të duan! Ata që më së shumti pësuan dhe u flijuan për Kosovën jo vetëm këto vite të fundit, por që nga koha e Rilindjes kombëtare, nuk janë askund! Edhe ty Bacë po mundohen të të vënë në askund! Sot kemi të ashtuquajturin president historik, arkitekt i pavarësisë së Kosovës, ndonëse në jetën e vet nuk e ka vënë një pikë për pavarësi e lëre më të ketë bërë projekte të tilla. Edhe te varret kanë bërë dallime. Ishim te varri i gjeneral Shaban Shalës i cili tërë jetën ia kushtoi luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar. Ndonëse u bënë 8 vjet nga koha kur iku në amshim, varri i gjeneralit të UÇK-së, patriotit këmbëngulës më shumë i ngjante një varri të një të vdekuri pa familje dhe të cilin, me shpenzime komunale, është varrosur nga shërbimet komunale. Turp, o Baca Adem, turp i madh!

Çka po ndodhë në Kosovë: Po flitet për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë në kohën kur, gjithashtu, po flitet për një marrëveshje përfundimtare që duhet të arrihet deri në fund të vitit. Albin Kurti është kryeministër i Kosovës dhe duket se nuk do të ketë kohë fare të merret me bisedime me Serbinë, por se do të merret vetëm me pasojat, pa fajin e tij. I kanë mbetur këmbët e arushës (Hashimit) në duar. Mbesa e shokut tënd të idealit, të jetës, vuajtjeve dhe sakrificës, Ahmet Haxhiut është bërë ministre, sa për informatë. Gjykata Speciale po u rri mbi kokë shokëve tuaj, një pjesë e të cilëve fort po trembet. Bacë, nuk mund ta besosh gëzimin që po e ndiejnë mbeturinat e Jugosllavisë dhe Serbisë dhe nervozën pse këta ende nuk janë arrestuar, pse nuk po dënohen dhe pse nuk po vihen në trekëmbësh. Nuk ka as ndjeshmëri elementare për 12 000 shqiptarë të vrarë, mbi 1 300 të zhdukur pa nam dhe nishan, me mijëra femra të dhunuara e dëme të mëdha materiale sepse, në vend se të kërkohet përgjegjësi për ta, po kërkohet përgjegjësi për shqiptarët, ata që e bënë luftën dhe ata që e përkrahën. Nuk mbeti kush pa u ftuar nga kjo Gjykatë, sikur të ishte një Gjykatë për Kundërvajtje dhe po merret me shkelësit e qetësisë publike pas një demonstrate. Shqiptarët janë ndarë fort, Hashimi në një anë, kurse Albini dhe Vjosa në anën tjetër. Nuk po e kanë një pikë takimi as për çështje të mëdha të kombit dhe të shtetit. Isa Mustafa po i tërheq penjtë nga hija me një saktësi të çmendur dhe filigranike.

Bacë, kohët e fundit i vetmi që ka pyetur se ku është Adem Demaçi është Nasim Haradinaj të cilin e kanë gozhduar sepse e ka thënë një të vërtetë publikisht kur të tjerët, për shkaqe të ndryshme, nuk kanë guxim ta thonë. Është bërë si në kohën e ish-Jugosllavisë kur sanksionohej fjala e lirë. Sot në Kosovë ta thuash të vërtetën është e dënueshme dhe nuk mund të kaloni pa pasoja. Baca Adem, si asnjëherë më parë, sot kemi nevojë të bashkohemi, sidomos ata që e pësuan në të kaluarën. Bacë, sot kur kalojmë para torturuesve tanë në hetime, policë apo hetues e që janë sistemuar edhe më mirë në Kosovën demokratike, para prokurorëve dhe gjykatësve që na dënuan, duhet ta ulim kokën dhe thuaja turpërohemi për krimet që i kanë bërë ndaj nesh që e deshëm lirinë. Pra, dashja e lirisë edhe sot llogaritet krim.

Sot, o Baca Adem, më shumë respektohet nga shokët tanë Gjat Macolli që kurrë dhe asgjë nuk ka bërë për lirinë e Kosovës se ti që 30 vjet kalove nëpër të gjithë rrathët e ferrit. Shokët tanë që janë bastarduar atij i thonë bacë për faktin se ua ka mbushur cullën me mish dhe xhepat me para. Sot edhe kullat e Adem Jasharit janë duke u shembur për të ndërtuar varre dhe memoriale për ata që nuk e shkrepën, jo një plumb, por edhe as një pordhë të vetme për lirinë e Kosovës. Bacë, atje ku je, mirë je dhe shoqërinë e ke shumë më të mirë, më të ndershme, më kombëtare dhe më besnike; je me Fehmiun dhe Xhevën, me Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, me Ahmet Haxhiun dhe Remzi Ademajn, me Adem, Hamëz dhe Shaban Jasharin, me Ilaz Kodrën dhe Abedin Rexhën, Ilir Konushevcin, Bahri dhe Fahri Fazliun, me Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën, me Azem Bejtën dhe Shotë Galicën, Tahir dhe Nebih Mehajn sikur edhe me mësuesin politik dhe ushtarak që e kishe, Hasan Prishtinën.

Baca Adem, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe ty të përmenden, dikush sa për sy e pa faqe, dikush me zemër e dikush me thembër. Besa, duke shkuar te varri i Him Govës, morën në thua edhe te varri yt dhe luftëtarëve që të shoqërojnë. U ndalën edhe te Ti, Albini dhe Vjosa. I kam lexuar të gjitha ato që janë shkruar dhe folur për ty dhe më së shumti më ka bërë çudi deklarata e Hakiut të Abazoviqe, të cilin Albini e bëri zëvendës të vetin. Ky Hakiu e ka bërë një postim shumë përmbajtjesor, real dhe një pasqyrim të jetës dhe veprës sate. Bacë, nganjëherë është më mirë të të mos ta vizitojnë fare varrin tënd se të vjen turli hala-huli para historisë dhe kutimit të lirisë që ishe Ti Bacë e që po mundohen ta prangosin në një hapësirë dy me një metër. Bacë, për ty po shkruajnë edhe ata që nuk i ke dashur, edhe ata që nuk të kanë dashur asnjëherë dhe duket se ka ardhur koha të bëhet ndryshe. Nëse jemi gjallë dhe shëndosh, e vazhdojmë edhe në të ardhmen siç e bënim sa ishim bashkë me një grusht shokësh që ende e ndiejnë mungesën tënde! Që ende të thërrasin dhe të konsiderojnë si Bacë, si udhëheqës shpirtëror dhe si një enciklopedi të pashkruar deri më tani.

Më Shumë

Bashkimi rikthehet në “Sezai Surroi” përballë Prizrenit

Pas tri javësh si mysafirë, Bashkimi rikthehet në palestrën e tij për derbin e qytetit kundër Proton Cable Prizreni, në kuadër të xhiros së...

Ekipi i Kosovës në Taekwondo fiton katër medalje në Kampionatin Ballkanik

Në Kampionatin Ballkanik për seniorë, i cili u mbajt në Oradea të Rumanisë, Ekipi i Taekwondosë së Kosovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm...

Lajmet e Fundit