29.6 C
Prizren
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Haskuka godet Isa Mustafën: Ishte kundër ndryshimit në Prizren dhe Kosovë

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka akuzuar liderin e LDK-së, Isa Mustafën, se në vazhdimësi ka qenë kundër ndryshimit në Prizren dhe Kosovë.

Sipas tij, nuk është e vërtet që LDK-ja e ka mbështetur atë në zgjedhje.

“Isa Mustafa po shihet se është kundër ndryshimeve në Kosovë” tha Haskuka, në një konferencë për media.

Haskuka ka prishur koalicionin me LDK-në në Prizren.

Kundër këtij vendimi ka reaguar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

“Prishja e njëanshme e koalicionit flet për paqëndrueshmërinë e VV-së. Ata kështu vepruan edhe në koalicionin në nivel qendror, duke ndërmarrë veprime të njëanshme dhe arbitrare”, ka thënë Isa Mustafa, shkruan “PrizrenPress”.

Kreu i LDK-së ka thënë se Haskuka është në krye të Komunës së Prizrenit falë mbështetjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, derisa e ka paralajmëruar atë se në zgjedhjet e ardhshme LDK do të rikthehet në pushtet në Prizren.

Ndërkaq, me këtë konstatim nuk pajtohet Haskuka.

Ai tha se LDK-ja nuk e ka mbështetur në balotazh.

“Mustafa në balotazh e ka bllokuar LDK-në që të më mbështesë. Ai po e keqinformon opinionin”, tha Haskuka.

Sipas tij, VV-ja në balotazh ka pasur koalicion vetëm me Nismën.

Haskuka nuk e mohon mbështetjen e anëtarëve të ndryshëm të LDK-së, në Balotazh.

Ai, ka përmendur kandidatin e LDK-së për kryetar të Prizrenit, Hatim Baxhakun.

“Baxhaku ka shkruar në Facebook duke thënë se Prizrenit i duhet ndryshimi. Nuk e ka përmendur emrin tim, por unë e kam falënderuar”, tha ai.

Sipas tij, pas fitores LDK-në e ka marrë në qeveri për të krijuar shumicën në Kuvend.

“Kam dashur që bashkërisht ta bëjmë ndryshimin në Prizren”, tha Haskuka./PrizrenPress.com/

Më Shumë

OVL-UÇK: Gjithçka gati për protestën e 14 shtatorit në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur një konferencë për media për të treguar detajet e protestës që do të mbahet në...

20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit

Ish-drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Fejzë Kabashi, garon me numrin 20 në listën e LDK-së për Kuvendin...

Lajmet e Fundit