Një nga promovimet në stendën “Toena” ishte libri me tregime “Pendimi i Mihail Zolait”, i autores së re Griselda Qosja. Griselda është diplomuar për Drejtësi në UET, me një bursë studimi të ndërmjetme në SHBA dhe aktualisht vazhdon studimet në Gjermani, me letërsinë një pasion të hershëm. “Tregimet që janë përfshirë në libër kam nisur t’i shkruaj rreth dy vite e pak më parë, kur studioja në Amerikë. Atje nisa të ndryshoja mendim mbi atë çka letërsia duhet të ishte, e nisa ta shoh më së shumti si një mënyrë për të treguar, jo mbi heronjtë e jashtëzakonshëm, por mbi përditshmërinë dhe heronjtë e çdo dite”,- thotë Griselda.
Libri përmban 12 tregime, ndër ta dhe “Pendimin e Mihail Zolait”. Autorja flet për vështirësitë që një autor i ri ka sot në tregun e botimeve. “Për mua, të jesh nga Shqipëria dhe të duash të shkruash është fatkeqësi dhe bekim njëherazi. Fatkeqësi sepse është vështirë të publikohesh dhe sepse gjykohesh përpara se të lexohesh, sepse ne në Shqipëri kemi natyrë shumë mosbesuese, se duhet të jesh ose i vdekur prej vitesh dhe koha dhe mosqenia të zbusë mosbesimin, ose të kesh dalë në televizor e të njihesh, o ndonjëherë të njohësh njerëzit e duhur, por kur vjen nga anonimati, apo për dikë që nuk ka asnjë nga këto e vjen nga hiçi… sa e vështirë që është! Pastaj është bekim se Shqipëria nuk është kurrë e vakët, është e paparashikueshme, është plot ngjyra dhe në çdo çast gjen ndodhi, njerëz, për të cilët mund të shkruash e të tregosh”, thotë Qosja.
“Pendimi i Mihail Zolait”, i marrë përsipër nga Shtëpia Botuese “Toena”, është libri i parë i Griselda Qoses.