Limaj viziton liderët e UÇK-së në Hagë: Beteja e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit nuk është personale, por për Kosovën

Lideri i Nismës Socialedemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar të enjten bashkëluftëtarët e tij në Hagë, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Me këtë rast, Limaj ka thënë se beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por është betejë për Kosovën.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore!”, ka thënë Limaj.

Deklarata e plotë e Limajt:

Emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit tim nga Tribunali i Hagës t’i vizitoj bashkëluftëtarët e mi që ndodhen në objektin pas meje. Asnjëherë nuk e kam menduar që do të kthehem këtu për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse kam qenë i bindur që jam luftëtari i fundit që futëm këtu dhe që dal nga kjo ndërtese.

Bashkëluftëtarët të cilët do t’i vizitoj sot e kanë të qartë që aty nuk janë për çështje personale, por për të zhvilluar betjën e fundit për pavarësinë e Kosovës. Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore!

Ata janë të vetëdishëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës. Pikërisht, këtu po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve.

Kështu që, beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën!

Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore!

Fatmir Limaj

 

Më Shumë

OVL-UÇK në Prizren i dhuron motor elektrik invalidit të luftës së UÇK-së, Florim Kryeziut

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prizren ka njoftuar se, falë donacionit të kompanisë “Sat Styro”, është dhuruar një motor elektrik për...

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e Kujtim Koqit nga Prizreni

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e personit në kërkim, Kujtim (Iftiman) Koqi, i lindur më 11.05.1989 në Prizren. Policia njofton...

Lajmet e Fundit