2.7 C
Prizren
E martë, 3 Shkurt, 2026

Krasniqi kritikon qeverinë për rritjen e çmimit të rrymës: Po kërcënohet mirëqenia e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar qeverinë lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Krasniqi ka vlerësuar se ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare që sipas tij po varfërohen çdo ditë e më shumë.

“Vitin e kaluar e rritën mbi 100 për qind çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kësaj qeverie, që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishajn, nuk u mjaftoi kjo. Dje, çmimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët tanë e rritën edhe për rreth 15 për qind. Ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare, të cilat, në këtë periudhë të krizës dhe ngritjes së të gjitha çmimeve të tjera, po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se me këtë lloj qeverisjeje, numri i qytetarëve të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja.

“Një gjë është e sigurt: me këtë lloj qeverisjeje, e cila po vështirëson dhe rëndon jetën e qytetarëve në çdo aspekt, numri i atyre të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja. I indinjuar thellësisht me këtë kaos qeverisës, i cili po e kërcënon në vazhdimësi mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit tonë. Mjaft më!”, ka shkruar Krasniqi.

Më Shumë

Ditëlindja e 90-të e shkrimtarit të shquar, Ismail Kadare

Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare.   Shkrimtari u lind më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër, e vdiq më 1...

Mungesë e ndriçimit publik në një pjesë të rrugës Rahovec–Malishevë

Komuna e Rahovecit ka njoftuar qytetarët se në rrugën “Shkodrani”, përkatësisht në aksin rrugor Rahovec–Malishevë, në një segment të saj aktualisht mungon ndriçimi publik. Sipas...

Lajmet e Fundit