Në forumin ‘Globalsec’ në Bratislavë, kryeministri Albin Kurti shpjegoi situatën aktuale në veri të Kosovës. Ai tha se kryetarët e rinj të komunat në veri janë kryetarë me ‘k’ të vogël për shkak të daljes së qytetarëve në numër të ulët në zgjedhje.
Kurti deklaroi se konsideron NATO-n të pazëvendësueshme për sigurinë e Kosovës dhe se me KFOR-in janë në kontakt të rregullt.
Por ai tha se jo çdoherë pajtohem për çdo gjë. “Por ndërtesat komunale i përkasin republikës. E kuptoj se nuk duhet të ketë shumë policë, brenda apo jashtë, por nuk duhet të ketë turma të dhunshme”, tha ai, duke shpjeguar se ata sulmojnë ushtarët, policët e gazetarët.
Kurti deklaroi se drejtësia duhet të jetë në zinxhir dhe se pajtohet se duhet komunikim e koordinim dhe kjo bëhet.
“Por sa i përket komunave nuk mund të rri në zyrën time në Qeveri e tu them kryetarëve mos shkoni në zyra”, u shpreh Kurti, duke shtuar se e kupton se ata nuk mund të qëndrojnë më shumë sesa mandati i tyre, janë më shumë teknikë, administratorë, dhe janë udhëzuar të kryejnë detyrat pa trimfalizëm.
“Nuk është sukses, por është situatë fatkeqe. Megjithatë, ministri i Financave duhet të bashkëpunojë me kryetarët sepse asnjë nga komunat në Kosovë nuk është e vetë qëndrueshme sepse të ardhurat e tyre janë të dobëta”.
Kryeministri deklaroi se kryetarët serbë në veri kanë dhënë dorëheqje për ta bërë sistemin jofunksional.
“Mua më duhet një legjitimitet minimal me ligjshmëri e me proces demokratik edhe pse dalje të ulët në zgjedhje e legjitimitet të dobët”.
I pyetur nëse për të mirën e situatës, a mund të punojnë kryetarët e këtyre komunave në ndërtesa të tjera, kryeministri Kurti tha se pozita e tij e fuqisë vjen nga zyra e Kryeministrit e republikës demokratike të Kosovës.
“Ajo që po bëj tani është detyrë e imja. Ka struktura paralele në pjesën veriore të Kosovës. Po të urdhëroja kryetarët që të dalin nga zyrat e tyre ku janë, do të ishte sikur unë po angazhohem të krijoj një strukturë paralele ndaj strukturave paralele”, shpjegoi kryeministri Kurti në këtë forum.
Ai tha se këtë nuk mund ta bëjë. Ai u shpreh se një nga definicionet e mira të demokracisë është se ligji duhet të jetë mbi politikën.
“Çfarë mund të bëjmë brenda ligjit dhe ende të bëjmë politikë është që në një pikë të caktuar të ketë zgjedhje të parakohshme, por këtë nuk mund ta themi që këta kryetarë nuk janë kryetarë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai rikujtoi e vetë bashkësia ndërkombëtare me konsensus të përgjithshëm ka pranuar procesin zgjedhor dhe rezultatin e tij.
“Ka pranuar kryetarët që kanë bërë betimin e si tash po i konteston kryetarët për të hyrë në objekte që janë publike. Nëse bashkësia ndërkombëtare do të thoshte mos bëj zgjedhje se nuk ka rrethana, apo keni bërë zgjedhje e nuk është proces i duhur, apo keni rezultat e mos bëni betimin, atëherë do të flisnim për politikë”.
Por sipas Kurtit, tani në këto rrethana, politikisht po bën atë që po bën, jo nga fuqia por mungesa e fuqisë sepse nuk ka fuqi të bëjë diçka tjetër.
Ai tha se po ndërmerr veprime juridike në kuadër të ligjit.
I pyetur për rrezikun e izolimit ndërkombëtar të tij dhe Kosovës, si nga SHBA apo mundësia e pezullimit të liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti deklaroi se- “jam i brengosur gati gjithë kohës, por nuk frikësohem”. “Është përshkrim i punës që të mos frikësohem, por të brengosëm”.
Sa i përket mesazheve të forta të SHBA-së, kryeministri tha se është duke u përpjekur shumë që të gjejë një rrugëdalje.
“Rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar por një hekurudhë. Së pari të dalim nga kriza në veri, sundim i së drejtës. Turma ose kthehet në Serbi ose burgoset në Kosovë. E pastaj të ulim praninë e policisë në objektet komunale dhe normalizohet situata”.
Ndërkaq rruga e dytë ai tha se është zbatimi i shpejtë i pakushtëzuar, i drejtpërdrejtë të marrëveshjes së dakorduar.
“Legjitimiteti i palëve, Kosova -Serbia, BE e SHBA, po gërryhet sepse kemi një tekst por nuk kemi zbatim të tij”, tha Kurti, duke rikujtuar se edhe ai vetë i kishte kritikuar paraardhësit e tij që mes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe realizimit, sikur ishin dy planetë larg.
Kurti tha se tani po i kthehen sërish palët sindromit të vjetër ku bëhen marrëveshje dhe nuk zbatohen. “Këtu kam një listë të gjatë se si Beogradi e ka shkelur zbatimin e marrëveshjes”.
Ai tha se duhet dialog i intensifikuar e jo të ketë takime në dialog, një herë në dy muaj.
Kryeministri tha se është shumë i gatshëm për takime me palën serbe, sepse i pëlqen njohja de-fakto, duke përfshirë edhe Vetëmenaxhimin e bashkësisë serbe.
“Dua t’i mbroj serbët sepse jam dhe kryeministër i tyre. Kam vuajtur shumë dhe nuk dua që edhe të tjerët të vuajnë”.
Kurti tha se e di se çfarë do të thotë të ndjehet i pa përfaqësuar.
Kurti në Bratislavë: Serbët e Kosovës janë nën presionin e Beogradit
Por ligjshmëria e kushtetutshmëria duhet zbatuar. Bashkësia Ndërkombëtare ka njohur procesin e zgjedhjeve dhe rezultatin.
“Por kur kryetarët u desh të shkojnë në zyrat e tyre që janë pronë e shtetit, serbët kanë filluar të organizohen në turma dhe kanë sulmuar”, tha Kurti.
I pyetur se çfarë mund të bëjë si Kryeministër për të ulur tensionet, Kurti u shpreh se në secilën komunë të Kosovës, ka nga disa dhjetëra policë dhe kjo është situatë normale.
“Për aq sa të ketë turma të dhunshme jashtë që shkruajnë grafite me shkronjën ‘Z’ e që shprehin admirimin për presidentin despotik Putin, dhe për agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, e disa prej të cilëve janë policë në Serbi, duhet t’i kemi njësitë tona speciale të policisë”, tha Kurti, duke shtuar se ata po bëjnë punë shumë profesionale sepse janë të trajnuar nga perëndimi, SHBA e BE.
Kurti tha se i di shumë mirë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje të tyre nga Policia.
“Kam dhënë udhëzime që në këto komuna Zv.kryetarët të jenë serbë dhe pushteti lokal të jetë me shumë parti, gjuhë, etni sepse diversiteti i tillë duhet të reflektohet”.
Ai tha se kryetari i zgjedhur, i zgjedh nënkryetarët e tij. “Kam ministër në qeverinë time që ka partinë e tij dhe zëvendësministri i tij vjen nga Leposaviqi, nga komuna më veriore e Kosovës”, u shpreh Kurti, duke shtuar se ka serbë që punojnë në shtetin Kosovës.
“Edhe pse shumë nga ta nuk janë të lirë për shkak të presioneve e shantazhit që marrin nga Beogradi zyrtar, ku janë angazhuar në projektin për botën serbe, të gjithë serbët në një vend të vetëm”.
Kurti tha se nëse këta kryetarë nuk shkojnë në objektet komunale, atëherë ku duhet të jenë.
“Mandati i tyre nuk është katër por dy vjet,por kjo nuk ka nevojë të zgjasë”. Kryeministri Kurti tha se Brukseli është vendi ku Kosova bën dialogun me Serbinë sepse nuk i pëlqejnë marrëdhëniet fqinjësore pa vlera evropiane.
“Kemi aplikuar për anëtarësim në BE dhe duam t’i bashkohemi KiE dhe Kosova është tregim suksesi”, u shpreh ai, duke shtuar se të ardhurat dhe investimet janë rritur.
Kryeministri deklaroi se është e vështirë të paramendohet nga jashtë mungesa e lirisë së shprehjes për serbët, për gati kudo që jetojnë ata në Ballkan.
“Këndvështrimi që është instaluar, një shtet, një parti një lider, një kishë, sepse partia kryesore opozitare në serbi është Kisha Ortodokse”, tha Kurti, teksa shpjegoi se ata kanë logjistikën, infrastrukturën, peshkopët, çdo kund, në çdo komunë e ndoshta edhe në çdo lagje.
Ai tha se serbët e Kosovës duan të jenë pjesë e Kosovës, por nuk mund të shprehen lirshëm se çfarë duan.
“Kemi komunitetin serb në Kosovë është 4% e popullatës e ku kemi 3% të pakicave të tjera e 93% janë shqiptarë. Por serbëve në Kosovë, Beogradi ua lejon vetëm një parti, kurse boshnjakët kanë disa parti , edhe turqit e ne shqiptarët kemi dhjetëra parti politike”, shpjegoi Kryeministri, presionin që u bëhet serbëve nga Serbia.
Ai rikujtoi se një person që ka krijuar një parti politike, Nenad Rashiqi, djali i tij është rrahur rëndë nga serbët. Kryeministri foli edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Ai shpjegoi historikun e nënshkrimit të marrëveshjes para dhjetë vjetësh, por që tani, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dëshiron të nënshkruajë me të, “Marrëveshjen bazë’ të dakorduar.
Sipas tij, ky dokument ka disa pika të çuditshme ku në disa komuna, komandanti i policisë duhet të jetë serb. Kurti tha se ka shumë mundësi që në komunën me shumicë serbe, komandanti i policisë të jetë serb.
“Por është shumë problematike kur e shkruan e bën me vlefshmëri juridike. E çfarë nëse një rom dëshiron të bëhet komandant?”, pyeti Kurti, duke shpjeguar se -“tani ai a duhet të përjashtohet. E në këtë situatë kjo merr shijen e racizmit”.
Më tej kryeministri foli edhe për shqiptarët ën Luginë të Preshevës, për të cilët tha se kanë Këshillin Nacional Shqiptar, e për të cilin tha se ka fare pak kompetenca.
“Ata jetojnë në tri komuna e fatkeqësisht Serbia bën një lloj spastrimi etnik me masivizim të adresave”.
Ai tha se i ka thënë presidentin Vuiçiq që Kosova e Serbia duhet të kenë reciprocitet në aspektin e të drejtave të njeriut. “Ai nuk ka dashur as ta dëgjojë e lërë më të më përgjigjet”./RTKlive