Shkrimtari shqiptar Naum Prifti ka ndërruar jetë të shtunën e 17 qershorit në New York të Shteteve të Bashkuara.
Krijimtaria e tij letrare ishte e larmishme dhe autori i mirënjohur lëvroi në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.
Ai lindi në Rehovë të Kolonjës, më 7 mars të vitit 1932.
Në Rehovë, Prifti do të kryente edhe shkollën fillore.
Më pas, në Ersekë, do të përfundonte shkollën 8-vjeçare.
Njësoj si në gjurmët e autorëve me famë botërore si francezi Louis-Ferdinand Celine, Naum Prifit do të përfundonte studimet në vitin 1953 në Politeknikumin Mjekësor në Tiranë.
Ai madje punoi një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës.
I apasionuar pas letërsisë, vazhdoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën Hosteni.
Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjës.
Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76.
Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 1991, emigroi drejt SHBA-ve (New York), ku vazhdoi të kontribuojë për komunitetin shqiptar dhe për Letërsinë Shqipe.
Në vitin 1995, u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e mbajti deri vonë.
Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj.
Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash.
Në vitin 2001 u nderua nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendtë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”, Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003.
Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të”.
Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie.
Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë publicistikë, për nga ideja dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post