19.8 C
Prizren
E premte, 25 Tetor, 2024

Pranon fajësinë i akuzuari që grabiti 13 mijë euro në dy filiale mikro-financiare të Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, i akuzuari Dardan Gashi ka pranuar fajësinë për katër vepra penale. Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Petrit Kryeziu, e të njëjtën e ka aprovuar gjykatësi Artan Sejrani.

Gashi po akuzohet për dy vepra penale të grabitjes në dy filiale mikro-financiare, “Finca” në Prizren nga e cila thuhet se kishte marrë 11 mijë e 370 euro dhe “Capital Ria” në Prishtinë ku thuhet se kishte marrë 2 mijë e 280 euro, për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë në filialin mikro-financiar “Finca” në Prizren si dhe veprën penale armëmbajtje pa leje.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Gashi e ka bërë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kryeziu.

Prokurori Kryeziu nuk e ka kundërshtuar pranimin fajësisë me arsyetimin se i njëjti është bërë në mënyrë vullnetare. Ai shtoi se i akuzuari Gashi pranimin e fajësisë e ka bërë në të gjitha procedurat, dhe atë në deklaratën e dhënë në Polici dhe në Prokurori.

Pas kësaj, gjykatësi Sejrani ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gashi, duke shtuar se i njëjti është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij, avokatin Valdet Hoxha.

Tutje, prokurori Kryeziu ka propozuar që me rastin e marrjes së dënimit gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe atë, pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gashi dhe pendimin e shprehur për kryerjen e veprave penale.

Ndërsa, si rrethana rënduese, Kryeziu ka propozuar që gjykata të ketë parasysh shkallën e lartë të dashjes, mënyrën e kryerjes së veprave penale, vendosmërinë dhe këmbëngulësin  e të akuzuarit për të kryer veprat penale, dhunën gjatë kryerjes së veprës penale dhe të kanosjen me mjet të rrezikshëm, me armë si atë të zjarri ashtu edhe me armë të ftohtë, thikë.

Po ashtu, Kryeziu ka propozuar që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues që ka të bëjë me kompensimin e humbjes apo dëmit të viktimave të veprës penale, si dhe konfiskimin e sendeve që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale.

Kurse, avokati Hoxha ka deklaruar se i mbrojturi i tij veprat penale i ka kryer në gjendje të rënduar emocionale dhe ka kërkuar që pranimi i fajësisë nga i akuzuari të vlerësohet si rrethanë lehtësuese si dhe rrethanat personale dhe atë, bashkëpunimi shumë i mirë me organet e ndjekjes, pranimi i fajit që nga momenti i dorëzimit të tij në polici, gjendja ekonomike e tij, statusi shoqëror, familjar i tij.

Tutje, Hoxha ka propozuar që si rrethanë tjetër lehtësuese të merret parasysh pendimi i të akuzuarit që nga momenti  i arrestimit të tij duke e shprehur haptas para policisë para prokurorit të shtetit dhe sot para gjykatës.

Në fund, Hoxha ka kërkuar që të mbrojturi të tij t’i shqiptohet një dënim sa më të butë.

I akuzuari Gashi ka shprehur kërkim falje ndaj të dëmtuarve në këtë rast dhe se këto vepra penale i ka bërë nga gjendja e rënduar emocionale.

“Desha personalisht të ju kërkoj falje të gjithëve që i kam lënduar. Qysh ka rrjedh puna…në gjendje të rëndë emocionale i kam bërë këto vepra edhe i ceki avokati. Nuk kam menduar me bë kështu, por jam ndikuar edhe nga disa rrjete sociale të cilët në gjendje të rëndë psikike që isha më kanë shtyrë me bë këtë vepër” ka thënë i akuzuari Gashi.

Kurse, të dëmtuarit Sehat Thaqi, Arbnor Zeqiri, Anjesa Fejzullahu dhe përfaqësuesi i të dëmtuarës “Finca”, Auberon Kelmendi kanë parashtruar kërkesë pasurore juridike për dëmet e pësuara.

Pas kësaj, gjykatësi Sejrani tha se aktgjykimi për këtë rast do të mbahet më 13 tetor 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 21 gusht 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Dardan Gashi.

Sipas aktakuzës, më 27 janar 2023, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i akuzuari Gashi, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filialit Y.P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para, me ç’rast arrin që t’i marrë 11 mijë e 370 euro dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.3 dhe 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se Gashi më 3 maj 2023 në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Finca” i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, tenton të kryejë grabitjen, mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, i pandehuri largohet nga vendi ngjarjes dhe gjatë ikjes i bie një çadër, një çantë dhe një çelës i veturës.

Me këto veprime, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas nenit 317, par. 3 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Po ashtu, Gashi po akuzohet se më 4 maj 2023, në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”, saktësisht në objektin e filialit mikro-financiar “Capital Ria”, pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A.F., të cilës i drejton armën e zjarrit. E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2 mijë e 280 euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit.

Me këto veprime, Gashi po akuzohet ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, par.1 i KPRK-së.

Po ashtu, Gashi po akuzohet edhe për veprën penale  “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Më Shumë

Policia po e kërkon këtë grua të dyshuar për vjedhje në Prizren (FOTO)

Policia në Prizren njofton se është duke zhvilluar hetime lidhur me një vepër të vjedhjes që ka ndodhur  me datën 21.05.2024 rreth orës 18:15...

Festivali “Suhareka na Bashkon” vë në qendër artistët me aftësi të kufizuara për të promovuar barazinë

Edicioni i dytë i festivalit “Suhareka na bashkon” që i dedikohet pjesëmarrësve me aftësi të kufizuara është mbajtur gjatë fundjavës në Shtëpinë e Kulturës...

Lajmet e Fundit