Në njëvjetorin e vdekjes, sot është përkujtuar ish i burgosuri politik dhe veprimtari i çështjes kombëtare, si dhe ushtari i orëve të para të UÇK-së, Riza Vata.
Në Akademinë përkujtimore që u mbajt me këtë rast në Bibliotekën e Qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë, u përkujtua vepra dhe heroizmi i Riza Vatës nën sloganin që ai e kishte tërë jetën sa ishte gjallë: “Vetëm bashkimi, ideali im”.
Nënkryetarja e Komunës, Mihrije Suka, në fjalën e saj ndër të tjera tha: “Burgu dhe lufta për liri, përballja dhe mosdorëzimi janë mjetet me të cilat ai dhe veprimtarët e tjerë trasuan rrugëtimin deri te liria. Prandaj, ne si institucion komunal, si qytetarë të këtij vendi, nderojmë dhe respektojmë kontributin e tij.”
Për veprën heroike kanë folur edhe bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të Riza Vatës, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxha, ish-komandanti i UÇK-së, Sadik Halitjaha, Xhevat Bislimi dhe ish-shoku i studimeve në Zagreb, Isuf Buzhala.
Për veprën, sakrificën dhe trimërinë e Riza Vatës, kënduan një këngë edhe rapsodët e njohur Dida, Çeka dhe Kovaqi.
Në orët e paradites, tek varri i tij u bënë homazhe dhe u vendosën kurora me lule./PrizrenPress.com/
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”