Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka inspektuar punimet infrastrukturore në fshatin Lybeçevë.
Puna përfshin hapjen e kanaleve dhe largimin e shkurreve në rrugën që lidh qytetin e Prizrenit me këtë fshat.
Totaj u shpreh se ky projekt ishte një kërkesë e kahmotshme nga banorët e zonës dhe është realizuar me qëllimin për të përmirësuar kushtet e jetesës së tyre.
“Ky investim është shumë i rëndësishëm për banorët e Lybeçevës, pasi ndihmon në lehtësimin e lëvizjes dhe përmirëson infrastrukturën e zonës. Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të fshatit”, tha ai.
Punimet kanë përfshirë zgjerimin e rrugës, duke pastruar shkurret dhe hapur një kanal mbi 5 kilometra të gjatë. Kryetari Totaj vlerësoi se ecuria e punimeve po shkon sipas planit dhe se investimi po realizohet me cilësi të lartë.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, foli për këtë projekt dhe për disa projekte të tjera që priten të realizohen në të ardhmen në këtë zonë.
Ai theksoi se rruga Lybeçevë–Jeshkovë është një tjetër projekt që do të fillojë së shpejti, përveç punimeve të infrastrukturës nëntokësore dhe instalimit të ndriçimit publik.
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”
Imami i fshatit Lybeçevë, Samidin Maçkaj, falënderoi autoritetet lokale për investimin në këtë projekt dhe shprehu shpresën se kërkesat e tjera të banorëve të fshatit do të marrin po të njëjtën vëmendje nga pushteti lokal. Ai theksoi se ky investim ka qenë një nevojë urgjente për zhvillimin e mëtejshëm të fshatit.
Fshati Lybeçevë ka pasur deri tani investime të pakta nga ana e pushtetit lokal të Prizrenit, përveç projektit madhor të asfaltimit të rrugës që lidh këtë fshat me qytetin, i realizuar rreth 20 vjet më parë./TV Prizreni/