Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin lidhur me vrasjen e ndodhur në vitin 2023 në lokalin “Kobra City”, dëshmitari B.K, deklaroi se natën kritike kur kishte qenë klient në atë lokal, kishte dëgjuar dy-tri krisma armësh, por më pas tha se nuk i kishte dëgjuar ato.
Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, në pyetjen e prokurores speciale, Merita Bina-Rugova, dëshmitari tha se kishte dëgjuar dy ose tri krisma me armë.
Mirëpo, më pastaj në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha, avokatit Florent Latifaj, dëshmitari tha se nuk i kishte dëgjuar ato krisma dhe se është përgjigjur se i ka dëgjuar duke menduar të mos dalë në gënjeshtër me atë çka ka deklaruar në Polici.
“S’kam dëgju, s’ka pas asni sen, por e thash mos të dalë në rren sepse kam qenë i ofenduar nga polici, më ka shajt me familje”, tha B.K,.
Ai tha se në natën kritike ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe se nuk i kujtohen detajet e rastit, duke shtuar se tani i akuzuari Dibran Hoxhaj kurdo që e ka vizituar lokalin “Kobra City”, ka qenë i sjellshëm më klientë.
Po ashtu, dëshmitari tha se Hoxhën në natën kritike e kishte parë kur ishte futur së bashku me policinë brenda lokalit dhe se nuk e kishte parë më herët.
“Pra, kur ka hy policia ka hy edhe Dibrani me ta”, shtoi ai.
Gjithashtu, B.K., tha se para se të ndodhte vrasja në lokal, gjithçka kishte qenë në rregull dhe se nuk kishte pasur përleshje.
Edhe L.A., tha se ka qenë nën ndikimin e alkoolit në natën kritike dhe se nuk i kujtohen detajet e rastit, por theksoi se kishte parë përleshje të tre personave, për çka me të filluar ajo përleshje tha se është larguar dhe ka shkuar në afërsi të tualetit të lokalit.
Po ashtu, edhe A., tha se tani të akuzuarin Dibran Hoxha nuk e kishte parë më herët, por vetëm kur kishin ardhur Policia në lokal.
Më të përfunduar dëshmia e dy dëshmitarëve, u ndërpre edhe gjykimi për të vazhduar muajve në vijim me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë sipas planifikimit të gjykatës, përfshirë edhe dëshmitarët e dëgjuar përmes mundësisë hetuese të veçantë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.
Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.
Kliko linkun:https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/669854102389111