Një krizë e re po godet bizneset në Kosovë, pas vendimit të kompanisë Enternet Shpk për të mbyllur të gjitha zyrat e saj të shërbimit për arkat fiskale, përveç asaj në qytetin e Pejës.
Kjo ka shkaktuar kolaps në sektorin e shërbimeve teknike, duke detyruar qindra biznese të udhëtojnë qindra kilometra për një shërbim bazik të domosdoshëm për funksionimin e tyre të përditshëm.
Afrim Tejeci, kryetar i Odës së Ndërmarrësve Zejtarëve të Prizrenit, ka ngritur zërin përmes një deklarate publike, ku theksoi pasojat e drejtpërdrejta që kjo situatë po ka në Prizren dhe më gjerë.
“Bizneset janë të shqetësuara dhe të bllokuara. Është e pakuptimtë që një zejtar apo një biznes i vogël të mbyllë lokalin dhe të udhëtojë në Pejë për të servisu një arkë fiskale. Kërkojmë nga Ministria e Financave të ndërhyjë menjëherë dhe të ndërmarrë masa lehtësuese për bizneset”, u shpreh Tejeci.
Situata ka lindur si pasojë e një Udhëzimi Administrativ të Ministrisë së Financave, që lejon bizneset e reja të operojnë pa arkë fiskale për 60 ditë. Enternet, kompani që ka trashëguar shërbimet e GeKos dhe ka operuar për mbi 15 vjet në treg, ka pezulluar shërbimet si shenjë pakënaqësie ndaj këtij udhëzimi.
Ndërkohë, në terren, qindra biznese nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica, Gjakova dhe Prizreni janë detyruar të presin me ditë të tëra për t’u marrë në konsideratë nga zyra në Pejë – e vetmja që mbetet funksionale.
Mungesa e stafit teknik, vonesat në ofrimin e shërbimeve, kostoja e transportit dhe ndërprerja e operimit po përkthehen në humbje të mëdha financiare për sektorin privat.
“Po përballemi me një torturë administrative dhe teknike. Kjo nuk është thjesht një çështje logjistike – është pengesë e drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik lokal. Institucionet po heshtin, ndërsa bizneset dëmtohen çdo ditë”, shprehet Tejeci.
Deri më tani, as Administrata Tatimore e Kosovës dhe as Ministria e Financave nuk kanë reaguar zyrtarisht për situatën, ndonëse shqetësimet janë bërë publike nga shumë përfaqësi të komunitetit ekonomik.
Oda e Ndërmarrësve Zejtarëve të Prizrenit apelon që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë pa vonesë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes./PP/
Marketing