Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të shkruajë historinë në futbollin botëror, duke e mposhtur për herë të dytë përfaqësuesen e Suedisë. Pas fitores 2:0 në Prishtinë, mbrëmë djemtë e Kosovës triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit, me rezultat minimal 1:0, në një përballje që konfirmoi rritjen e vazhdueshme të ekipit kombëtar.
Në këtë sukses të madh, një rol të veçantë kanë pasur katër futbollistë që janë rritur dhe formuar në klubet e rajonit të Prizrenit – nga Malisheva në Suharekë, e nga Prizreni në Dragash. Bëhet fjalë për Vedat Muriqi, Dion Gallapeni, Lindon Emërllahu dhe Lumbardh Dellova – emra të njohur tashmë për publikun dhe të pazëvendësueshëm në formacionin e Kombëtares së Kosovës.
Me këtë rast, Lidhja Rajonale e Futbollit në Prizren ka dedikuar një shkrim nderues për këta futbollistë, duke vënë në pah origjinën e tyre dhe rrugëtimin që kanë ndjekur nga ekipet vendore drejt majave të futbollit ndërkombëtar.
“Nga Prizreni në Kombëtare! U rritën dhe u formuan si futbollistë në ekipet e rajonit tonë – në Shkollat e Futbollit Liria, Ballkani dhe Winner. Sot, këta djem të artë janë shtylla e Kombëtares së Kosovës, krenaria e çdo prizrenasi dhe e gjithë Kosovës”, thuhet në reagimin e LRF Prizren.
Rajoni i Prizrenit vazhdon të dëshmohet si një vatër e fuqishme e talenteve, me një trashëgimi të pasur futbolli që shtrihet nga komunat e Malishevës dhe Suharekës, deri në Prizren e Dragash.
“Këta yje dhe shumë të tjerë që kanë dalë nga klubet dhe shkollat e futbollit të këtij rajoni janë dëshmi e fuqisë së punës, përkushtimit dhe disiplinës. Ata janë frymëzim për çdo të ri që ëndërron të arrijë majat”, thuhet më tej nga LRF Prizren./PrizrenPress.com
Marketing
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren