Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.
Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Në Koshare ishte një post ushtarak i Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku nga 9 prilli 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s mbi RFJ, për 67 ditë u zhvilluan luftime mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë më vonë bëri të ditur se në betejën e Koshares u vranë 108 pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave. Zyrtarët nga Kosova thanë se janë vrarë 114 pjesëtarë të UÇK-së. Autoritetet jugosllave thanë se NATO bombardoi Kosharen në maj të vitit 1999.
Beteja në këtë post kufitar mes RFJ-së dhe Shqipërisë përfundoi më 14 qershor, kur Ushtria e Jugosllavisë u tërhoq nga Kosova në bazë të marrëveshjes me të cilën përfunduan bombardimet e NATO-s mbi RFJ.
NATO-ja i nisi sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 9 prill në Serbi shënohet si një betejë heroike e forcave ushtarake të Jugosllavisë, pjesë autonome e së cilës në atë kohë ishte Kosova, ndërsa në Kosovë kremtohet si fitore e UÇK-së.Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./Radio Evropa e Lire