Malisheva e shënoi 17 Shkurtin – Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, përmes aktiviteteve solemne dhe nderimeve të veçanta.
Në këtë ditë të shënuar, u vlerësua thellë sakrifica e brezave të tërë për liri dhe pavarësi, një rrugëtim i gjatë që kulmoi me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe shpalljen e shtetit të pavarur. Edhe këtë vit, ashtu si në vitet e fundit, u përsërit kërkesa për liri dhe drejtësi për krerët e luftës së UÇK-së që po gjykohen në Hagë, si dhe u bë thirrje për pjesëmarrje në marshin “Drejtësi, jo politikë”.

Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti një mbledhje solemne, ku përveç asamblistëve morën pjesë familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, drejtues institucionesh, përfaqësues fetarë dhe një numër i madh qytetarësh.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryetari Ekrem Kastrati foli me respekt për përpjekjet shekullore të kombit shqiptar për liri, për luftën e drejtë të UÇK-së dhe për angazhimin e komunës në ndërtim dhe zhvillim ndër vite. Ai theksoi edhe sakrificën e krerëve të UÇK-së që mbahen në Hagë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në marshin e organizuar në Prishtinë.

Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fatmir Ademaj, nënvizoi rëndësinë historike të kësaj date, duke përmendur në mënyrë kronologjike sakrificat e popullit shqiptar deri te çlirimi dhe shpallja e pavarësisë. Sipas tij, liria e sotme është fryt i drejtpërdrejtë i luftës së UÇK-së.
Në emër të OVL të UÇK-së në Malishevë foli Feriz Krasniqi, i cili theksoi peshën e luftës çlirimtare dhe sfidën e vazhdueshme për të mbrojtur të vërtetën e saj.
Aktivitetet përkujtimore u përmbyllën me homazhe dhe nderime pranë varrezave të dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë, si dhe me pjesëmarrje masive në marshin “Drejtësi, jo politikë”./PrizrenPress.com/
Marketing
Pagesa me këste / Shiten 3 banesa në Kompleksin “Prizreni i Ri”
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren