5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Tribunali do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar drejtësia

qekiqi gjykatKrijimi i një Tribunali Ndërkombëtar do të nënkuptonte se në Kosovë ka dështuar sistemi i drejtësisë, thonë ekspertët e çështjeve penale-juridike. Ky Tribunal, sipas tyre, do të nënkuptonte edhe dështimin e misionit të EULEX-it, pasi që gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi.
Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, thotë se Tribunali Ndërkombëtar, sipas asaj që është paralajmëruar deri më tani, do të merrte përsipër trajtimin jo vetëm të rasteve të krimeve të luftës.

“Kjo gjykatë do të jetë kompetente për t’i gjykuar krimet gjatë luftës 1998 – ’99, por pa u kufizuar vetëm në krimet e luftës”, ka thënë Salihu.

Po në bazë të draft-statutit të kësaj gjykate, profesori Salihu numëron edhe lëndët tjera që ky Tribunal do t’i merrte eventualisht përsipër. Aty përfshihen lloje të ndryshme të krimeve, të cilat sipas pretendimeve ndërkombëtare, prokuroritë dhe gjykatat vendase nuk kanë qenë të afta t’i zgjidhin.

“Kjo gjykatë do të kishte juridiksion edhe për krimet që janë kryer pas përfundimi tët luftës, por edhe pas vitit 2000-2001. Do të ketë juridiksion edhe për krimet e vrasjeve me motive politike që janë kryer gjatë viteve 2000-2001, pastaj për vrasjet apo kërcënimet që pretendohet se janë kryer ndaj dëshmitarëve, por edhe për veprat korruptive. Kështu që nuk do të jetë vetëm për krimet e luftës”, ka thënë Salihu.

Selia e kësaj gjykate do të ishte jashtë Kosovës me prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë.

Por, për një Tribunal të tillë, ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se nuk ka nevojë pasi që në Kosovë ka gjykata vendase.

“Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për shqyrtimin dhe trajtimin e cilitdo rast në vendin tonë. Kur e them këtë kam parasysh gjyqtarët vendor dhe ata të EUELX-it. Po ashtu, në Kosovë ka mision ndërkombëtar, gjyqtarë ndërkombëtarë, ka prokurorë ndërkombëtarë dhe besoj që nuk ka asnjë arsye që të mendohet ndryshe”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, Salihu tërheq vërejtjen se me krijimin eventual të një Tribunali Ndërkombëtar, Kosova do të dëshmonte dështimin e organeve të ndjekjes penale. Po ashtu, një Tribunal i tillë do të nënkuptonte se në Kosovë politika ndërhynë në gjyqësorin, kështu që rastet e cilësuara si të “nxehta” do të mund të zgjidheshin vetëm nga një gjykatë ndërkombëtare.

“Po del që këtu kanë dështuar organet e ndjekjes, prokuroritë, gjykatat. Por, në një mënyrë nuk janë në nivelin e duhur as pjesëtarët e EULEX-it, sepse sistemin gjyqësor të Kosovës e përbëjnë edhe pjesëtarët e EULEX-it, që faktikisht janë staf ndërkombëtar”, ka vlerësuar profesori Ismet Salihu.

Ideja e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimeve të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, tani ky Tribunal po merr edhe përmasa tjera duke u zgjeruar edhe për rastet të cilat, sipas penalistëve në Prishtinë, do të duhej të ishin kompetencë e organeve të Kosovës.

Në bazë të debateve, për formimin e kësaj gjykate do të nevojitet edhe miratimi i institucioneve të Kosovës. /REL/

Më Shumë

Nis Liga Unike: Bashkimi në Grupin A dhe Ylli në Grupin B

Sot nis sezoni i ri i Ligës Unike Meshkujt, ku 12 skuadra nga Kosova dhe Shqipëria do të konkurrojnë në dy grupe, duke sjellë...

Suhareka e refuzon kërkesën e Ballkanit që “Xhebrailat” të jenë në derbi

Tifozëri të tyre zyrtare nuk kanë. Por FC Suhareka po dëshiron që në derbin e qytetit, edhe Ballkani të luaj pa mbështetësit e tyre të...

Lajmet e Fundit