11.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

Konferencë ndërfetare në Prizren në kuadër të “Javës së Tolerancës dhe Pajtimit”

20140523152241574646Mbi 150 mysafirë nga afërsisht 50 shtete do të mblidhen në qytetin historik të Prizrenit nga 23 deri më 25 maj në konferencën e dytë vjetore ndërfetare që shënon fillimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë, e cila do të realizohet nga 23 deri më 30 maj.

Respekti i vazhdueshëm dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve është prioritet për Kosovën duke u bazuar në historinë e gjatë të diversitetit fetar në vend të asaj të konfliktit të fundit.

Pas suksesit të konferencës së vitit të kaluar në Pejë, konferenca e dytë vjetore për dialog ndërfetar do të jetë pikëtakimi i udhëheqësve fetarë, diplomatëve, juristëve, udhëheqësve të OJQ-ve, akademikëve, shoqërisë civile si dhe përfaqësuesve të medieve ndërkombëtare. Konferenca titullohet “Feja dhe politika: Përforcimi i dialogut ndërfetar me qëllim të zhvillimit demokratik”, ku pjesëmarrësit do të kontribuojnë në debatin e vazhdueshëm mbi rolin e fesë dhe dialogut ndërfetar në sferat publike të shoqërive bashkëkohore gjatë rrjedhës së kësaj ngjarje dy ditore që do të mbahet në Hotel “Theranda”.

Punimet e konferencës do të hapen nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në mbrëmjen e të premtes, 23 maj. Presidentja pritet të flasë lidhur me angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për harmoni në mes komuniteteve të ndryshme.

Ndër të tjera presidentja Jahjaga tha: “Për të hartuar rrugën tonë drejt krijimit të një Kosove që do të jetë shtëpi për të gjithë qytetarët e saj ne nuk duhet të shikojmë shumë larg. Pika jonë e referimit ishte dhe është tradita jonë e multikulturalizmit që ka karakterizuar peizazhin e Kosovës për shekuj me radhë”.

Lidhur me konferencën që fillon sot pasdite, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha:
“Kam kënaqësinë t’iu uroj mirëseardhje liderëve dhe praktikuesve fetarë ndërkombëtar për të marrë pjesë në këto debate të rëndësishme për rolin e fesë dhe politikës. Kosova mbetet e vendosur për të demonstruar rolin e saj si një udhëheqëse në lehtësimin e dialogut ndërfetar jo vetëm në mesin e komuniteteve të saj fetare, por edhe të rajon e më gjerë, si një pjesëmarrëse aktive në komunitetin global”.

Ministri Hoxhaj do të mbajë një fjalim para pjesëmarrësve të konferencës të shtunën më 24 maj.

Udhëheqësit e besimeve nga të gjitha komunitetet e ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Myftiun Naim Tërrnava dhe Atin e Kishës Ortodokse Serbe janë të ftuar gjithashtu të mbajnë fjalime hyrëse në hapje të konferencës të Premten mbrëma. Përfaqësuesi i komunitetit hebre në Kosovë, Votim Demiri, do të lexojë një letër dërguar konferencës nga Kryerabini i Izraelit.

Konferenca është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe partnerë nga shoqëria civile. Konferenca gëzon përkrahjen e shumë partnerëve duke përfshirë Fondacionin e Mirëbesimit Tony Blair (Tonny Blair Fiath Foundation), Komunitetin Shën Egjidio, Ambasadat Amerikane dhe Norvegjeze në Kosovë, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Këshillin Britanik në Kosovë dhe Zyrën e Presidentes së Kosovës.

Do të marrin pjesë mysafirë të rëndësishëm si Kardinali Renato Raffaele Martino, Kardinali Deacon në Vatikan, Budimir Loncar, ish-Ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë dhe Faisal Bin Abdul Rahman Bin Muaammar, Sekretar i Përgjithshëm i Qendrës për Dialog Ndërkulturor dhe Ndër fetar i Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz.

Kjo ngjarje e rëndësishme dhe inauguruese gjithashtu shënon fillimin e një serie të aktiviteteve gjatë Javës së Tolerancës dhe Pajtimit për të promovuar dialogun e vazhdueshëm dhe mirëkuptimin në Kosovë dhe më gjerë. Këto aktivitete përfshijnë promovimin e librit “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Luftën e Kosovës 1998- 1999” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 27 Maj dhe një ligjëratë publike nga Madhëria e Tij Princ Ghazi Bin Muhammad i Jordanisë në temën “Kur’Ani dhe Dashuria” më 29 maj.

Më Shumë

Lajmet e Fundit