8.3 C
Prizren
E hënë, 9 Mars, 2026

Antoni i urtë dhe çeta e çartur

Ag Apolloni

Këto ditë u çua shumë pluhur për (mos)ngritjen e bustit të Anton Çettës para Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kolegët e Antonit paskan thënë që busti i tij nuk duhet të ngrihet para Institutit, por diku tjetër, ndërsa këta të tjerët insistojnë që busti duhet të ngrihet vetëm para Institutit. Kështu, edhe pse Anton Çetta është simbol i pajtimit, kësaj here u bë shkak i përçarjes.

As ata që e refuzonin bustin, as ata që e mbronin, nuk e thanë atë kryesoren: A është Anton Çetta shkencëtar?
Të dy palët thanë se Antoni ka qenë burrë i mirë, ka mbledhur përralla, ka pajtuar gjaqe, prandaj sipas njërës palë busti (më mirë do të ishte një përmendore) duhet të ngrihet në një shesh, kurse sipas palës tjetër – vetëm para Institutit. Kjo palë e lidh refuzimin me përkatësinë fetare (katolike) të Anton Çettës, por nuk merret me kontributin e tij shkencor.

Unë personalisht, jo si shkrimtar, por si profesor dhe si doktor i shkencave filologjike, do të ndihesha i ofenduar nëse para një instituti shkencor do të vendosej figura e një pleqnari, në vend se e një shkencëtari. Anton Çetta ka bërë një gjest madhështor në pajtimin e familjeve shqiptare (kosovare), por ai s’ka bërë asnjë punim shkencor me vlerë. Është mbledhës dhe kompilator i folklorit, por s’ka pasur as metodë, as qasje, as terminologji shkencore dhe këtë e them me kompetencë të plotë. Kjo duhet thënë. Pse të kemi frikë nga e vërteta, kur Kosova tashmë, edhe falë kontributit të madh të Anton Çettës, është e çliruar?

Anton Çetta është pleqnar i madh (ka ndenjur me pleqnarë dhe ka marrë tiparet e tyre) dhe meriton një përmendore të madhe në Prishtinë, por jo para Institutit. Sepse para Institutit aq sa ai, e meriton bustin edhe Xhemail Abria.
Kujdes ku i vendosni bustet dhe përmendoret! Ibrahim Rugova është vendosur pranë Benettonit sikur të kishte qenë dizajner mode; Fehmi Agani është vendosur para Fakultetit të Filologjisë, edhe pse kurrë s’është marrë me filologji (do ta kenë ngatërruar me vëllain e tij, Hilmiun). Mund t’i tolerojmë përmendoret e figurave të fazës sonë parainstitucionale, siç i lejon gjithë bota, por jo këta të pas Luftës së Dytë Botërore.

Duhet të bëhet debat racional para se të vendoset një përmendore, që mos të hiqet pastaj nga brezat e ardhshëm.
Anton Çetta ka marrë rrogë në Institut, por nuk është Vladimir Propp. Ai thjesht ka mbledhur (më shumë ka kompiluar) përralla e anekdota. Më tutje, dorën në zemër, lidhje me shkencë s’ka pasë.

Mos u çartni, vlerësojeni njeriun e urtë për atë që është, jo për atë që nuk është! E për atë që është, simbol i pajtimit, ai meriton një permendore larg institucioneve.

Më Shumë

Vdes papritur një 48-vjeçar gjatë një ceremonie varrimi në Prizren

Një rast i hetimit të vdekjes është hapur në Prizren, pasi një burrë ka ndërruar jetë papritur gjatë një ceremonie varrimi. Siç mëson Sinjali, ngjarja...

Dy të dyshuar kanosin zyrtarët policorë në Suharekë

Dy persona kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë në qytetin e Suharekës. Sipas raportit 24-orësh, ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 10:00. https://prizrenpress.com/shitet-banesa-ne-lagjen-dardania-te-prizrenit/ “Me vendim të...

Lajmet e Fundit