11.6 C
Prizren
E premte, 31 Janar, 2025

Bujar Nerjovaj / Besoj në Zot, drejtësi e në pafajësinë time

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka përfunduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në këtë seancë, i akuzuari Nerjovaj, edhe njëherë e ka mohuar fajësinë, duke kërkuar që të lirohet nga akuza me të cilën ngarkohet.

“Betohem para jush se kam punuar me nder dhe përgjegjësi për vendin dhe qytetin tim. Kam punuar në bazë të përgjegjësive të mia sipas përshkrimit të vendit të punës dhe aktemërimit tim, kam nënshkruar çdo vendimmarrje që ka qenë në interes të qytetarëve të mi. Kërkoj nga gjykata që të vërtetojë pafajësinë time. Besoj në zot, drejtësi dhe në pafajësinë time”, ka thënë Nerjovaj.

Por, që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas lgjit, ka kërkuar prokurori i rastit, Metush Biraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, fjala përfundimtare ishte paraparë të jepej në seancën e 10 majit të këtij viti, por pasi që prokurori e kishte precizuar aktakuzën, gjykata dhe mbrojtja e kishin cilësuar si një aktakuzë të re, dhe për këtë shkak ishte shtyrë dhënia e fjalëve përfundimtare.

Në seancën e 10 majit, prokurori Biraj kishte thënë se nga aktakuza fshihen gjashtë rreshtat e parë të dispozitivit, pasi sipas tij, në fillim është pretenduar se i akuzuari ka kryer veprën penale duke mos vepruar për rrënimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa me ndryshim, sipas tij, Nerjovaj akuzohet se ka vepruar për t’ua pamundësuar inspektorëve ekzekutimin e vendimeve për rrënim.

Ndërkohë, në seancën e së enjtes, prokurori Biraj ka thënë se qëndron pranë fjalës së tij përfundimtare të parashtruar me shkrim më 10 maj 2019.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Nerjovaj, avokati Blerim Mazreku, ka thënë se e kundërshton në tërësi aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ai ka kërkuar nga gjykata që mos t’iu falet besimi dëshmitarëve Ruzhdi Daka dhe Nexhmedin Musliu, pasi që sipas tij, dëshmia e tyre nga prokuroria në fillim është marrë në cilësinë e të akuzuarve, e më vonë i janë paraqitur gjykatës si dëshmitarë kyç.

“Si mund të jenë dëshmitarë kredibil për këtë proces gjyqësor inspektorët komunalë që vetë janë të akuzuar për të njëjtën vepër penale, madje në të gjitha rastet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Prokuroria i ngrit ndaj inspektorëve komunalë, është i vetmi rast ku për këtë vepër akuzohet i mbrojturi im në cilësinë e drejtorit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se prokuroria e ka akuzuar për tejkalim të kompetencave të tij, ndërsa me precizim të aktakuzës të njëjtin e akuzon se nuk u ka mundësuar inspektorëve komunalë ekzekutimin e konkluzioneve.

“Shtrohet pyetja a mund të bëhet tejkalimi i autorizimit duke mos vepruar, sipas mbrojtjes nuk mund të bëhet tejkalimi i autorizimit me mosveprim, për të kryer tejkalimin personi duhet të ndërmerr ndonjë veprim konkret. Në rastin në fjalë prokuroria nuk ka përshkruar asnjë veprim të të mbrojturit tim, por vetëm ka theksuar se nuk i ka mundësuar ekzekutimin e konkluzioneve. Andaj kërkoj që i mbrojturi im të shpallet i pa fajshëm”, ka thënë avokati Mazreku.

Pas deklarimit të palëve, gjykatësi Xheladin Osmani ka thënë se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 03 qershor 2019, në ora 11:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Moti sot: Kryesisht me diell, temperaturat deri në 15 gradë Celsius

Mbi Kosovë sot do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shperndara. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në mëngjes paraqiten kushte për mjegull. Temperaturat...

Zhduket një vajzë në Prizren

Një vajz? një vajzë ka dalë nga shtëpia në mëngjesin e së hënës në Prizren. Ajo është lajmëruar në polici si e zhdukur. “Është raportuar se...

Lajmet e Fundit