Krahu i majtë i mesfushës vijon të mbetet “thembra e Akilit” për Interin e Antonio Contes, pasi ganezit Asamoah i rëndojnë mbi supe vitet dhe nuk garanton intensitet të lartë për shumë minuta, ndërsa Cristiano Biraghi ofron garanci në fazën mbrojtëse, por shtyn shumë pak kur vjen puna për të ndihmuar sulmin.
Ardhja e anglezit Ashley Young solli qetësi për Conten në pjesën e dytë të sezonit, por edhe ky i fundit ka 35 vite mbi shpinë dhe nuk mund të përballojë i vetëm një kampionat të tërë, ndaj tekniku i Interit u ka kërkuar njerëzve të merkatos afrimin e një tjetër anësori të majtë.
Emri i parë në listën e Contes është ai i spanjollit Marcos Alonso, të cilin e ka pasur titullar edhe te Chelsea, ndërsa zikaltrit kanë nisur menjëherë negociatat me “blutë” e Londrës, për të bërë të mundur transferimin në Milano.
Tashmë në moshën 30-vjeçare, Alonso ka gjithçka i duhet Contes për krahun e majtë, rreshtim të kujdesshëm në mbrojtje, avancim i vazhdueshëm në krah, krosime të mira dhe gjuajtje “të hidhura” nga distanca, cilësi këto që e kanë veçuar edhe kur të dy punonin për Chelsean.
Nga ana tjetër Lampard do të ishte i kënaqur me largimin e spanjollit, pasi për krahun e majtë preferon brazilianin Alex Telles nga Porto dhe si Alonson, ashtu edhe Emerson Palmeirin i ka lënë shpesh në stol gjatë këtij sezoni.
Nëse marrëveshja mbyllet me sukses dhe Marcos Alonso i bashkohet Contes në Milano, atëherë krahu i majtë i mesfushës së Interit mund të quhet i kompletuar me spanjollin dhe Ashley Young, që pritet të rinovojë edhe për një sezon me zikaltrit.