Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me 600 euro gjobë për të akuzuarin për veprat penale “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, Vahid Ramadani.
Ai u dënua me nga 300 euro gjobë për secilën vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet.
Ramadani deklaroi se ndjehet fajtor për veprat e kryera dhe se pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ai ka kërkuar nga gjykata që, me rastin e caktimit të dënimit, ta ketë parasysh faktin se është mbajtës i familjes pesë anëtarëshe, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Sadri Alija, i cili tha se një veprim i tillë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjyqtari Shabani të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj edhe shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, me aktakuzën e 9 dhjetorit 2019, e akuzon Vahid Ramadanin me dy vepra penale dhe atë, “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale” nga neni 80 i Ligjit për Miniera dhe Minerale si dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri më 29 tetor 2019, në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, si pronar i kompanisë “Ramadani” sh.p.k, shfrytëzon jashtë mase burimet natyrore, duke operuar ilegalisht në shfrytëzimin-seperimin e resurseve minerale.
Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të inspektorëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), është vërtetuar se i pandehuri ka ushtruar aktivitet të paligjshem pa u pajisur me licencë të nevojshme të organit kompetent, KPMM, për aktivitetin e veçantë seperacion.
Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri më 19 tetor 2019, në kohë të pacaktuar, në ndërmarrjen e tij, me dashje heq ose dëmton vulën apo shenjat zyrtare, të cilat me 18 mars 2019 ishin vendosur nga zyrtarët policor dhe inspektorët e KPMM-së. /BetimipërDrejtësi