9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Dështon seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Prizren

Përsëri ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit, e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Nerjovaj, i cili ka qenë edhe zëvendësministër i Administratës Publike, akuzohet se gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa palës së dëmtuar, përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, për të cilin kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, deklaroi se ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, por që nuk e di arsyen e mosardhjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, gjykatësi Osmani deklaroi se një ditë më parë i është drejtuar me një letër zyrtare kryetarit të Komunës së Prizrenit, duke i kërkuar që të dërgohen përfaqësuesit e Komunës, sepse mungesa e tyre po është shkak për shtyrjen e seancave ku komuna në fjalë është palë.

Në këtë seancë mungoi edhe dëshmitari Fail Hoxha, mungesën e të cilit e arsyetoi mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku.

Ky i fundit tha se dëshmitari ka probleme shëndetësore, për çka nuk ka mundur të jetë prezent në gjykatë.

Pasi që nuk pati kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta u shty dhe u caktua për 12 tetor, në ora 10:00.

Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda një viti pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin nga akuza së të mbrojturit të tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Totaj priti kryetarin e PDAK-së, Qazim Rahmani

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj priti sot kryetarin e subjektit politik PDAK, Qazim Rahmani, nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Danush Ademi dhe bashkëpunëtorët e...

Lajmet e Fundit