Heroi i futbollit iranian, ish-sportisti Ali Daei, 53 vjeç, sfidoi regjimin e Ayatollah Ali Khamenei-t.
Dhe Teherani sfidon FIFA-n, më pak se një muaj pas fillimit të Kupës së Botës.
Lojtar trim, trajner karizmatik, dëshmitar i futbollit aziatik me aktivitete tregtare të lidhura me botën e sportit, Daei pritet në Katar në radhët e komentuesve zyrtarë të ngjarjes në gjuhën arabe.
Por pjesëmarrja e tij, është në rrezik tashmë. Për momentin, raporton gazeta “Times”, ish-sportisti është i arrestuar, por nuk dihen as akuzat dhe as vendi ku ndodhet.
Arrestimi, sipas rindërtimit të fakteve nga gazeta britanike, erdhi gjatë një demonstrate në Saqqez, në rajonin e Kurdistanit iranian.
Prej tre javësh ish-sportistit i ishte tërhequr tashmë pasaporta, për shkak të një dënimi me të cilin ai ishte solidarizuar publikisht me protestat e bashkatdhetarëve të tij kundër presidentit Ebrahim Raisi.
Gjithnjë e më shumë personazhe publikë nga bota e sportit po mbështesin sheshet dhe universitetet në të gjithë Republikën Islamike.
Ndërkohë mediat ndërkombëtare raportojnë raste të tjera.
Alpinistja Elnaz Rekabi, e cila duke garuar në kampionatin aziatik të ngjitjeve në Seul, shkeli rregullin e detyrueshëm të veshjes së hixhabit dhe ndodhet në arrest shtëpiak që nga 21 tetori.
Por është solidariteti i burrave që përfaqëson një nga elementët risi të kësaj vale protestash kundër regjimit të Teheranit, të cilat tashmë po hyjnë në javën e katërt dhe që duken të pandalshme pavarësisht kërcënimeve nga institucionet dhe dhunës së forcat e armatosura.
Titullari i kombëtares iraniane Hossein Mahini ndodhet në paraburgim që nga fillimi i tetorit për shkak të simpatisë së tij ndaj protestave.
Ish-lojtari i Bayernit, Ali Karimi, të cilit i ka vajtur një urdhër-arresti në Dubai ku banon, tha se kishte frikë se mos rrëmbehej nga regjimi dhe kthehej në Iran.
Sulmuesi i Bayer Leverkusen, Sardar Azmoun, gjithashtu ka mbështetur publikisht kërkesat e grave iraniane në rrjetet e tij sociale, por më pas i fshiu postimet.
Krahas sanksioneve evropiane dhe amerikane, ka edhe presion nga komuniteti ndërkombëtar ndaj regjimit, por edhe ndaj FIFA-s.
Ditët e fundit, federata është ftuar të vlerësojë përjashtimin e Iranit nga Botërori që do të nisë më 20 nëntor në Katar.
Hakmarrja e re e Teheranit kundër atletëve dhe sportistëve e vendos FIFA-n në një pozicion për të marrë një përgjegjësi të rëndë para syve të botës dhe për të marrë një vendim.
/Albanianpost.com