Pediatri i njohur nga Prizreni, Dr. Sherif Besimi, do të kujtohet gjithmonë si figurë e shquar e mjekësisë kosovare dhe si një prej njerëzve që ia kushtuan jetën qytetit të tij, profesionit dhe kombit.
I lindur më 28 nëntor 1935, në fshatin Serbicë të Prizrenit, pikërisht në Ditën e Flamurit – një datë që e nderoi përjetësisht – Sherif Besimi e nisi rrugëtimin e tij si nxënës i dalluar dhe e vazhdoi me po të njëjtin zell e disiplinë në studimet universitare, të cilat i përfundoi në Universitetin e Zagrebit në vitin 1965. Pas stazhit profesional, nisi punën në Suharekë dhe shumë shpejt u rikthye në Prizren, aty ku zemra dhe misioni i tij e thërrisnin.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Si pediatër në repartin e fëmijëve dhe këshilltar në këshillimore, ai përfaqësonte një emër të besuar për prindërit prizrenas, një figurë të dashur e të respektuar. Me profesionalizëm, urtësi dhe përkushtim, ai i qëndroi pranë mijëra familjeve në momentet më të ndjeshme të jetës së tyre.
Në vitet e vështira të okupimit serb, Dr. Sherifi tregoi guxim dhe ndjeshmëri të rrallë. Ai hapi dyert e ordinancës së tij private për studentët e mjekësisë dhe për qytetarët që kishin nevojë jetike për trajtim. Në një kohë kur kujdesi shëndetësor ishte i rrezikuar dhe shërbimet ishin të kufizuara, ai u bë strehë për popullatën civile – një mjek që nuk njihte lodhje, frikë apo dallim në ndihmën që jepte.
Për këtë arsye, qyteti i Prizrenit e njohu dhe e nderoi si “ambasador të shëndetësisë”, një epitet që lindi nga vetë populli dhe që i qëndron denjësisht figurës së tij.
Tradita atdhetare e familjes Besimi gjeti tek Dr. Sherifi mishërimin më të plotë. Ai ishte jo vetëm mjeku i qytetit, por edhe frymëzimi i brezave të rinj, një shtyllë morale dhe profesionale për familjen dhe bashkësinë. Në luftën kundër padrejtësive dhe dhunës serbe, ai ishte aktiv, i palodhur dhe gjithmonë në shërbim të organizimeve për ndihmë mjekësore dhe humanitare, në spital dhe jashtë tij.
Figura e tij nuk ishte vetëm profesionale – ajo ishte njerëzore, qytetare, atdhetare. Ishte mishërim i vlerave që e bëjnë një njeri të pavdekshëm në kujtesën kolektive.
Dr. Sherif Besimi u nda nga jeta më 27 nëntor 2016. U varros në Prizrenin e tij të zemrës – aty ku jetoi, punoi dhe shëroi për më shumë se gjysmë shekulli.
(Marrë nga libri “Në kujtesën e qytetit,” me autor Salajdin Krasniqi)
Marketing
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren