14.1 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026

Dy dashuritë e Atjon Zhitit

Të bashkosh me buzëqeshje ato që s’i bën dot lufta

Në përurimin e librit të studentit Atjon Zhiti “Për atë që dua(m)”, në Universitetin Europian të Tiranës, në aula magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, befasitë e mesazhet që përcjell, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, Yll Haziri, që vinte nga Prishtina posaçërisht për këtë takim, student në Zyrih tashmë.

“Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – tha ai. – Jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri.

Atjoni kishte dy dashuri të mëdha, – tregoi ndër të tjera Ylli teksa dridhej mes emocionesh të dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt”.

Ishte vërtet e bukur të dëgjoje nga një student në tempullin e dijes, ku ishin mbledhur aq shumë njerëz të moshave të ndryshme, përvojave dhe fateve të ndryshëm, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të rinj plot, që rrinin dhe në këmbë, etj., etj; të dëgjoje “për dashurinë për atdhe”, që s’është ndjenjë arkaike që mund t’i duket ndokujt në kohën e globalizimeve, por virtyt, që vjen nga shekujt, i trashëguar nga brezat, me një shkëlqim të ri, modern, që tashmë është strategji e program, ndjenjë e brendshme, pa bërtitma, por dhe jo e fjetur.

Ndërkaq na ra në dorë dhe një foto domethënëse e Atjonit në një nga takimet rinore të Parlamentit Europian. Janë bashkë djem shqiptarë e serbë, Ylli me Flamurin nga Kosova dhe serbët me Flamurin e tyre, dhe Atjoni në mes me qeleshe shqiptare, përbashkues i dy flamurëve, duke e çmitizuar urrejtjen dhe mospranimin e tjetrit, të fqinjit, të shtetit të tij, atë që është qëllim i së ardhmes për politikat rajonale dhe europiane. Stabiliteti në rajon nis aty me ata të rinj, që prekin flamurin e njëri-tjetrit, që dinë t’i thonë hapur dëshirat dhe i bëjnë realitet ëndrrat duke i sfiduar luftërat, tmerrin dhe absurdin e tyre me buzëqeshjet rinore, të pafajshme.

“Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, thoshte Atjoni, dhe na la buzëqeshjen e Tij të tretur në dritë …

Më Shumë

Defekt në rrjetin e ujësjellësit në Drenocë, pritet rënie e presionit të ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar për një defekt të shkaktuar në rrjetin transportues të ujit në fshatin Drenocë të Malishevës. Sipas njoftimit,...

Vazhdon nisma “Një dëshirë për rrugën time” me banorët e lagjes “Lakuriq” në Prizren

Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), EC Ma Ndryshe ka vijuar aktivitetin pjesëmarrës me banorët e...

Lajmet e Fundit