8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

E veçanta e ditës së 3 Dhjetorit, festë apo vajë !

Shkruan: Leonor Berisha

Sot është 3 Dhjetori Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Vecanta ( aftësi e kufizuar sic jemi mësuar shpesh t`a shohim këtë emërim nëpër media, tekste shkollore, rrjete sociale apo diku tjetër nga njerëzit e rëndomtë e deri tek bartësit e institucioneve, e që kjo përbën një diskriminim direkt të shoqërisë sonë sepse askush nuk e ka atë të drejtë t’i vëj kufij aftësive të të tjerëve dhe se askush nuk është i aftë aq, sa t’i dij apo bëjë të gjitha ).

Meqenëse, sot është dita ime, dua t`a ndaj me të gjithë juve një pjesë të vogël të përjetimeve në fazën më të ndjeshme të jetës nga pozita e të qenit ” ndryshe “.

Unë jam Leonor Berisha person me nevoja të vecanta, po e citoj për pjesën e miqve që nuk më kanë takuar asnjëherë fizikisht.
Unë nuk u linda i tillë, por jeta më sfidoi në moshën më të ndjeshme, atëherë kur fillova ta kuptoja funksionimin e jetës dhe botës përmes lodrave.

Në fillim nuk e kuptoja se cfarë po ndodhte me mua, e kisha shumë të vështirë ta pranoja veten për atë që isha, për gjendjen në të cilën ndodhesha, nuk e kuptoja ndryshimin që po ndodhte në trupin tim, me thënë të drejtën kisha shumë frikë për atë ndryshim, dhe në të njejtën kohë fillova të urreja cdo gjë, edhe veten, e urreja për faktin se gjërat nuk mund t’i bëja më si më parë dhe kjo më bëri që t’i shohë edhe ndryshe, shokët që i kisha për’rrethë filluan të dallonin nga unë, ata bënin gjëra dhe veprime që unë s’mund t’i bëja dot, loja e futbollit dhe ëndrra për t’u bërë një futbollist u zbeh, pikërisht nga shokët filluan pyetjet dhe shikimet e shpeshta rrethë asaj se cfarë po ndodhte me trupin tim, duke u vendosur më pastaj në kokën time dhe duke i`a përsëritur të njejtat pyetje edhe vetes me dhjetra herë, ato ishin momentet e para të një bote krejtësisht tjetër, brenda së cilës fillova të lëndohesha në shpirt, ndryshe nga lëndimet fizike nga cilat mund të shërohesh me kohën.

Ishte kohë lufte dhe nuk e kisha dikë që t’ma shpjegonte për ta kuptuar atë se cfarë po ndodhte me mua, ngase të gjithë ishin të zënë duke u marrë me cështjen më delikate dhe serioze të jetës ( shpëtimin e saj nga plumbat, torturat, djegëjet dhe vrasjet e okupatorit serb ).
Koha nuk ndalej, vitet kalonin, brenda tyre duke kaluar cdo ditë me dhimbje, përjetime dhe sfida që tashmë m’i kishte vendosur përpara jeta, ka pasur momente kur më e ëmbël më është dukur vdekja se’sa të përballesha me to, dhe ka pasur raste kur jam përbuzur, neglizhuar, ofenduar, dhe shikuar me një sy ndryshe nga të tjerët për atë që isha.
Sot jam këtu, më i pjekur se kurr për ta kuptuar dhe vlerësuar jetën, dhe më i aftë se ata që dje nuk më vlerësuan dhe më bënin që veten ta shohë ndryshe nga ta !

Kam dëgjuar se sfidat më të vështira jepen dhuratë nga zoti për njerëzit më të fortë, kjo ishte dhuratë për mua nga perëndia, u mësova me veten, e mësova se nderi më i madh që mund t’i bësh vetes në jetë është ta pranosh veten ashtu sic je, e bëra, e pranova dhe po jetoj me të, me veten, por gjithmonë duke e ndjerë dhe duke mos e humbur dashurinë dhe dhimbjen për tjetrin.
Sot, e morra guximin për t’ju treguar të gjithëve se unë jam ky që jam, jam njeri dhe s’mund të ndryshoj dicka që nuk është në dorën e njerëzve për t’u rreshtuar kundër vullnetit të zotit vetëm për t’u bërë qejfin krijesave të tij.

Jo cdo kujt zoti i jep mundësin të trajtohet si i/e “veçantë” nga të tjerët, dhe jo cdo kush mund të të vlerësoj si të barabartë me vehten.
Faleminderit prej atyre që më bënë të ndihem ndryshe nga ta.
Dhe faleminderit prej atyre që më bënë të ndihem i barabartë me ta.
Fal jush unë mësova se të trajtohesh ndryshe nuk të bënë të veçantë.

Dhe të vlerësohesh i barabartë të jepet ndjesia më e mirë e përfaqësimit të qenjes njerëzore.
Pavarësisht, ndryshimeve fizike që mund t’i shohësh në trupin tim, unë jam njeri, O NJERI, dhe i tillë do të mbetem si për vehte ashtu edhe për ty.

Urime 3 Dhjetori Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Vecanta !

Më Shumë

Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar marrëveshje për financimin e politikave...

32 vjet nga rënia e dëshmorit, Alush Kryeziu

Janë bërë 32 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Alush (Nezir) Kryeziu. Kryeziu ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai është përkujtuar sot...

Lajmet e Fundit