Tri skuadra kosovare do të dalin në Evropë
“E di shumë mirë se çka kanë ekipet evropiane e çka kemi ne. Ata kanë shumë profesionalizëm dhe kushte të mira, ndërsa ne e kemi cilësinë. Për të arritur rezultate çfarë po kërkojmë, duhet organizim i mirë, shumë punë e mbi të gjiha disiplinë, pasi në Evropë gabimet nuk falen, siç falën këtu”, ka thënë Liridon Leci,shkruan gazeta Kosova Sot.
Të gjithë futbolldashësit kosovarë gjatë verës sytë do t’i kenë nga skuadrat, që do ta përfaqësojnë për herë të parë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare, për ta parë kështu nivelin tonë karshi atij evropian. Pa dyshim se kjo mund të sjellë presion te lojtarët, të cilët në rast të paraqitjeve zhgënjyese, mund t’i dëshpërojnë adhuruesit e futbollit dhe sigurisht pastaj edhe entuziazmi mund të vijë duke u shuar. Megjithatë, futbollistët e dy skuadrave, që pritet të dalin në garat evropiane, Feronikeli e Hajvalia, Mentor Zhdrella e Liridon Leci, janë të bindur se do të tregojnë nivel të lartë, dhe se nuk i frikë- son rivaliteti i skuadrave evropiane.
Ish-futbollisti i Kalmar-it të Suedisë, por edhe disa skuadrave në kampionatit shqiptar, Liridon Leci, e di shumë mirë nivelin e ekipeve evropiane, pasi pati rastin të marrë pjesë në kupat ndërkombëtare. Ai, në një bisedë për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se klubet tona nuk kanë pse të frikësohen nga forca e kundërshtarëve, por gjithsesi se duhet shumë punë, që të paraqiten siç po pretendojnë. Njëjtë mendon edhe futbollisti aktualisht më i miri në Kosovë, Mentor Zhdrella, i cili beson se rezultatet nuk do të mungojnë.
Zhdrella: Nuk do të zhgënjejmë
Njëri nga futbollistët më të mirë, që ka nxjerrë Superliga e Kosovës pas luftës, pa dyshim është mesfushori i Feronikelit, Mentor Zhdrella. Ish-lojtari i disa skuadrave kosovare sivjet feston titullin e kampionit me “Niklin”, gjë të cilën e kishte bërë me herët edhe me Hysin. Zhdrella është shumë i lumtur që më në fund edhe klubeve tona do t’u jepet mundësia të luajnë në garat ndërkombëtare derisa është i bindur se prezantimi i tyre do të jetë në nivelin më të lartë. “Nuk u frikësohemi aspak garave ndërkombëtare, edhe pse për ne do të jetë hera e parë që do të luajmë në ato gara. Do të japim gjithçka që të prezantohemi sa më mirë dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë, pasi kemi ekip cilësor dhe me përvojë”, ka thënë Zhdrella, i cili e ka të qartë për përgjegjësinë e madhe që kanë këtë herë. “Është e vërtetë që i gjithë opinioni këtë herë do të drejtohet nga ne, por kjo aspak nuk na jep presion dhe nuk frikësohemi se mund t’i zhgënjejmë. Gjithsesi, për rezultate të mira do të varet shumë edhe nga shorti që do ta kemi”, ka përfunduar Mentor Zhdrella.
Leci: Mungojnë kushtet, por jo edhe cilësia
Hajvalia këtë vit ka shënuar suksesin më të madh në histori të klubit. Skuadra prishtinase do të përfundojë si nënkampion i Raiffeisen Superligës dhe, sipas të gjitha gjasave, do ta prezantojë futbollin tonë në garat e Ligës së Evropës. Futbollisti kryesor i kësaj skuadre, Liridon Leci, ka thënë se ekipi po përgatitet për të pasur paraqitje sa më të mira në Evropë. “Vendi i dytë në kampionat është vërtet sukses për ekipin e Hajvalisë, sepse unë nuk mbaj mend që Hajvalia të ketë qenë në nivele të tilla”, ka thënë Leci, sipas të cilit për të pasur rezultate në arenën ndërkombëtare duhet shumë punë.
“Normalisht se duhen investime, duhen lojtarë me kualitete të larta për t’u ballafaquar me ekipet evropiane. Unë mendoj se si Hajvalia, ashtu edhe Feronikeli, që marrin pjesë në Evropë, nuk do t’i dëshpërojnë adhuruesit e futbollit, përkundrazi ne kemi mundësi dhe shanse të mira që të kemi rezultate edhe në Evropë. E di shumë mirë se çka kanë ekipet evropiane dhe çka kemi ne. Ata kanë shumë profesionalizëm dhe kushte shumë të mira, ndërsa sa i përket cilësisë jemi afër tyre, mirëpo thashë edhe më herët që duhet organizim, punë e shumë disiplinë, sepse në Evropë gabimet nuk falen, siç falën këtu”, ka përfunduar Liridon Leci.