5.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Femrat e ndjeshme të Arapit

FatosArapi-poetPas prozës, tashmë dhe poezia shqipe mund të lexohet në polonisht. Libri me poezi të zgjedhura i poetit Fatos Arapi “Më jepni një emër” është botuar këto ditë në Poloni nga shtëpia botuese “Komograf” në Varshavë nën përkthimin e Mazllum Saneja & Eva Smietanska, shkruan gazeta Shqip. Libri shoqërohet me një parathënie të ndjerë të Andrzej Zaniewski, poet, prozator dhe kritik i njohur polak në botë.

Njohës i mirë i Ballkanit dhe i historisë së tij, Zaniewski bën një udhëtim përmes fjalëve në vendet fqinje, për të mbërritur më pas në brigjet e Jonit, në Vlorë, aty ku lindi poeti shqiptar.

“Biografitë e shkrimtarëve i lexoj nganjëherë porsi poezi apo epose të përbëra nga shumë poezi. Ndërkaq, shpesh ndodh që të kuptosh në tërësi synimin dhe kuptimin e këtyre rrëfimeve dhe tregimeve, përpiqem të arrij deri te skutat më të largëta të letërsisë së tyre kombëtare, në këtë rast, deri tek historia e gjuhës së krijuar përmes mijëvjeçarëve. Mbaj mend, në vitin e kaluar, kanë kaluar 550 vite nga data e lindjes dhe e krijimit të dokumentit më të vjetër të shkrimit shqip ‘Formula e Pagëzimit’ (1462) e peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit. Ndërkaq, i pari monument i madh i shqipes së shkruar dhe i pari libër i botuar është ‘Meshari’ i autorit Gjon Buzuku, i botuar më 1555, ndërsa Fjalori Latinisht-Shqip i Bardhit (1635), ishte e para vepër e llojit të veçantë për gjuhën shqipe me rreth tre mijë fjalë”, nis ai esenë e tij për poezitë e Arapit… Mjafton të shohësh hartën e Shqipërisë, vazhdon ai, për të kuptuar gjenealogjinë-a thua të gjuhëve? “Popujt që jetojnë këtu, pastaj historia e kulturës së tyre, arrijnë deri te periudhat më të largëta dhe, që janë të ndërlidhura ngushtë me lindjen e qytetërimit mesdhetar. Ndaj, këto janë kohët dhe epokat e Argonautëve e të Heraklitit, lufta e Trojës dhe e Homerit, Odiseut-Uliksit, Eneut, perëndive, titanëve, heronjve, nimfave… Këtej u zhvillua një lidhje tregtare, luftarake dhe natyrisht mitologjike, deri sot shumë hulumtues bëjnë zbulime në skajet e saj Ogigie – Ishulli i Vdekur. Harta fsheh sekrete, mijëra sekrete. Një çik, sepse tashmë sot dihet për ilirët, enkelejtë, molosët, pellazgët, përveç sigurisë, që mbrojtën me guxim dhe forcë selitë e tyre, brigjet e tyre shkëmbore para të huajve. Greqia arriti në rreth pak a shumë ku dhe sot. Më tej fillonin tokat saktësisht të panjohura, shpella misterioze dhe tatëpjetë deri në nëntokë, male të egra, terrene gjuetie për robërit, sepse në punën e tyre e kanë bazuar fuqinë e vet Helada demokratike dhe Roma krenare. Këto zona filluan të njihen pas Itakës së famshme dhe ishujve Leukos, Paksos dhe Korkira – Korfuzi i sotëm, e banuar përmes Feakëve, gjatë, po më kot duke mbrojtur pavarësinë e vet”, shkruan Zaniewski. Ai e quan Arapin një poet të ndjeshëm. “Në veprat e Fatos Arapit na rrethojnë dhe, jo vetëm vizionet e stuhisë, dhe jo vetëm zogu që lufton me erën e fortë, edhe poeti ndien frymën ogurzezë dhe të tmerrshme. Dy forca, dy vektorë të qartë etik vigjiluakan mbi djaloshin nga Deti Jon, duke e shpënë atë në thellësirat e fatit. Kjo një energji e pashtershme e Jetës dhe një nevojë e pamposhtur e lirisë. Me një mirëkuptim të thellë e lexoj poezinë emblematike ‘Ti mos më ler vetëm’, duke e lexuar si një manifest kundër vetmisë si lutje, si kërkesë mbi praninë e mikut të përjetshëm. Ajo është e bukur, ndonëse marrësi vë maskën. A thua mos vallë është femra? Apo Zoti? Apo Fati? Apo zogu mbi dallgët e detit? E parëndësi! Na mahnit kompozicioni dhe lutja e fashitur…”, shkruan kritiku. Shqipëria ndihet kudo në vargjet që ai ka lexuar… “Nga poezitë e Fatos Arapit aq shumë kam mësuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, për fatin e poetëve shqiptarë dhe të jo poetëve, për emigrantët që përshkuan shumë kontinente, duke mos harruar askurrë se nga e kanë prejardhjen dhe mbi bukurinë magjepsëse të natyrës përreth, dhe gjithashtu për ‘zogjtë që urrejnë qiellin’, për ‘parazitë moçal dhe krime, për skajet e pista dhe zilitë e shëmtuara’. Filozofia e dëshpërimit e ngjashme me idetë dhe botëkuptimet e Jean Paul Sartre’s të ‘Rrugëve të Lirisë’ deri te bindjet e errëta të Mircea Eliade’s, këtu ballafaqohet dhe ndeshet me rezistencën e brendshme të poetit të pamposhtur, me vetëdijen e trashëgimisë antike, që atë e krijoi”, shkruan Zaniewski. Një tjetër realitet plot ngjyra dhe tërheqës që ai gjen në vargjet shqipe është dhe bota e grave, “e vetmja dhe gjithnjë e veçantë, vetëm e jotja, vetëm imja, ku fjalët e dhëna të mirëbesimit, që tashmë shekuj me radhë po ato fjalë, nuk vjetrohen kurrë dhe nuk humbin as ngjyrat e veta”. “Fatos Arapi është një mjeshtër i rrallë i lirikës intime, të rrëfimeve dhe lutjeve më sublime..”, shkruan ai. Për të “poezitë e Fatos Arapit janë ese të ngjeshura intelektuale. Nuk mjafton vetëm t’i lexosh, po para së gjithash duhet t’i përjetosh, të përsiatësh gjatë leximit. Sepse të kuptosh poezinë e Fatos Arapit duhet të kesh një përgatitje intelektuale. Sepse çdo poezi mund të jetë si një fillim i shqyrtimeve të mëtejshme ekzistenciale, morale, filozofike”. “Poezitë e këtilla i lexojnë dhe i vlerësojnë njerëzit me një ndjeshmëri të thellë, që kanë një përvojë të madhe, me një bagazh përjetimesh, duke gjurmuar nëntekstet e fjalëve, që nuk pajtohen me botën e prapët dhe realitetin brutal dhe tragjik, e njëherazi duke ruajtur distancën kundruall ngjarjeve dhe qetësinë ndaj fjalëve, të cilat ata i plagojnë…”, shkruan Zaniewski.

Më Shumë

Bashkimi në krizë lëndimesh, kapiteni Bunjaku mungon një muaj

Bashkimi po përballet me një situatë të vështirë pas lëndimeve të njëpasnjëshme që kanë goditur katër lojtarë të ekipit, duke ndikuar dukshëm në paraqitjet...

Nxënësit nga Peqani i Suharekës vizitojnë “Reporting House”, njihen me historinë bashkëkohore të Kosovës

Nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Tivarit” nga fshati Peqan i Komunës së Suharekës kanë realizuar një vizitë edukative...

Lajmet e Fundit