9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Filloi hapja e rrugës Ngucat-Bllacë, që lidhë komunat Malishevë me Suharekë

Sot në pjesën e fshatit Ngucat, edhe zyrtarisht kanë filluar punimet në hapjen e rrugës Ngucat-Bllacë, e cila lidhë këto dy fshatra, por edhe është edhe një rrugë më shumë që lidhë Komunën e Malishevës me atë të Suharekës.

Në fillimin e punimeve ishin të pranishëm, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku, si propozues i këtij amendamenti për futjen në buxhet, dy kryetarët e komunave përkatëse, Ragip Begaj dhe Bali Muharremaj, përfaqësues të fshatit Ngucat dhe qytetarë të tjerë.

“Jam i kënaqur që jam këtu, në fillimin e hapjes dhe rregullimit të rrugës Ngucat – Bllacë. Ka qenë një investim i nevojshëm për ne të gjithë, e sidomos për banorët e kësaj pjese pasi kjo rrugë e shkurton rrugën aktuale për disa kilometra, por edhe ka qenë një rrugë ku ka lëvizur UÇK-ja gjatë luftës. I falënderoj të gjithë ata që janë angazhuar për ndërtimin e kësaj rruge, përfshi edhe deputetin Lushtaku, dhe i uroj banorët e të dy fshatrave dhe të fshatrave tjerë, që e do ta përdorin këtë rrugë për qarkullim”, tha kryetari Begaj.

Ndërsa deputeti Mërgim Lushtaku, tha se “Jam shumë krenar që ka filluar të realizohet ndërtimi i kësaj rruge, e cila është kërkesë e banorëve të dy fshatrave dhe fshatrave tjerë, si dhe kryetarëve të dy komunave. Kjo rrugë nuk lidhë vetëm dy fshatra por lidhë edhe dy qytete. Kjo rrugë ka edhe rëndësi strategjike dhe historike, pasi kjo rrugë ka qenë në shërbim të luftës çlirimtare dhe e kemi ndier obligim si deputetë, që ta mbështesim këtë projekt për ndërtimin e rrugës Ngucat-Bllacë”, tha mes tjerash deputeti Lushtaku me rastin e fillimit të punimeve në hapjen e rrugës.

“Ky projekt ka qenë një amendament që e kam propozuar dhe ndihem jashtëzakonisht mirë që ka filluar të realizohet ”, tha deputeti Mërgim Lushtaku, sipas të cilit, realizimi i projekti do të mbikëqyret deri në realizimin e plotë, pasi e ndien edhe obligim moral që projekti të realizohet ashtu siç është paraparë.

Edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i ka uruar të gjithë banorët e kësaj pjese, e sidomos banorët e Ngucatit dhe Bllacës, për rregullimin e kësaj rrugë që lidh të dy vendbanimet dhe një lidhje më shumë mes dy komunave.

Rruga Ngucat-Bllacë, është e gjatë 2 kilometra e 613 metra dhe mundësohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Më Shumë

Lajmet e Fundit