10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Fjala përfundimtare e 12 policëve në Prizren, të akuzuar për marrje të ryshfetit

12 nga 20 zyrtarët policorë që akuzohen për marrje të ryshfetit, kanë dhënë fjalën përfundimtare të enjten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku kanë kërkuar të lirohen nga akuza me të cilën ngarkohen.

Në këtë seancë fjalën përfundimtare e kanë dhënë të akuzuarit Naser Rama, Afrim Rafuna dhe mbrojtësja e tij, avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, Ivica Gjokiq dhe mbrojtësi i tij, avokati Zhivojin Jokanoviq, Ismajl Azemi dhe mbrojtësja e tij, avokate Fatmire Braha, Qerim Beqiri, Ardian Rrecaj dhe mbrojtësi Florent Latifaj, Sasha Nedelkoviq dhe mbrojtësi i tij, Asdren Hoxha, Shefki Zeka dhe mbrojtësi i tij Arsim Bilalli dhe në fund Nuhi Zogaj me mbrojtësin e tij, avokatin Bashkim Nevzati.

Ata kanë kërkuar lirimin nga akuzat për të mbrojturit e tyre, pasi që siç thonë, prokuroria ka dështuar të provojë akuzën.

Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, në fjalën përfundimtare, theksoi se prokuroria nuk i ka kryer hetimet si duhet duke hasur në mangësi profesionale në administrimin e provave, duke kërkuar që i mbrojturi i saj Afrim Rafuna, të lirohet nga akuza.

Edhe avokati Asdren Hoxha, në fjalën përfundimtare, ka deklaruar se me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se klienti i tij, Sasha Nedelkoviq, ka kryer veprat për të cilat akuzohet.

“Procedurën provuese e ka përcjellë një situatë konfuze ku në asnjë moment nuk ka vërtetuar gjendjen faktike. Prokuroria nuk ka arritur të specifikojë shumën e cila pretendohet të jetë marrë nga të akuzuarit e aq më pak nuk i ka identifikuar as se kush është i dëmtuar në këtë rast”, ka thënë avokati Hoxha.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ivica Gjokiq, avokati Zhivojin Jokanoviq, ka kërkuar profesionalizëm nga trupi gjykues, me rastin e vlerësimit të të gjitha provave të administruara.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 4 janar 2018, në ora 09:00.

Ndryshe, prokurori i rastit Genc Nixha dhe tetë të akuzuarit e tjerë, e kishin dhënë fjalën e tyre përfundimtare më 22 dhjetor të këtij viti.

Përfaqësuesi i akuzës, prokurori Genc Nixha, kishte kërkuar nga gjykata që të gjithë të pandehurit në këtë rast, për veprën penale që u ngarkohet, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësit e tetë nga 20 të akuzuarve në këtë rast, avokatët Nexhmedin Sejdija, Haxhi Millaku, Sahit Bibaj, Mexhit Syla dhe katër mbrojtës të tjerë, kishin kërkuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Artan Sejrani, që të mbrojturit e tyre, të lirohen nga të gjitha pikat e akuzës, në mungesë të provave.

Ndryshe, përveç dy prej 20 të akuzuarve, të cilët qysh në shqyrtimin fillestar e kanë pranuar fajësinë, në seancat e kaluara zyrtarët e tjerë policorë të akuzuar për marrje të ryshfetit, Shemsi Demolli, Naser Rama, Afrim Rafuna, Ivica Djokiç, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka, Nuhi Zogaj si dhe Ismail Azemi e Safet Veliu, janë deklaruar të pafajshëm, duke mohuar pretendimet e prokurorisë, se kanë pranuar para nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ndërsa, të akuzuarit Shefki Zeka, Aziz Krasniqi, Afrim Rafuna, Naser Rama, Blerim Zylfaj, Qerim Beqiri, Ardian Rrecaj, Sasha Nedelkoviq, Shemsi Zejnullahu, Lulzim Gashi, janë mbrojtur në heshtje, duke mos u deklaruar fare në shqyrtimet gjyqësore.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i akuzon 20 zyrtarë policor të njësisë së autostradës “Ibrahim Rugova”, se kanë marrë ryshfet për të mos e kryer detyrën e tyre sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, gjatë dhjetorit 2016, duke patrulluar në autostradën “Ibrahim Rugova”, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga shkelësit e rregullave të komunikacionit, për të mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

Në aktakuzë përshkruhet se si këta policë, duke vepruar në grup prej dy dhe tre zyrtarësh, brenda orarit të punës, kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave deri rreth 400 euro e pastaj të hollat i kanë ndarë mes veti, në mënyrë proporcionale.

Në këtë rast janë të akuzuar 20 policë, mirëpo në shqyrtimin fillestar, policët Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani, kanë pranuar fajësinë./betimiperdrejtes/

Më Shumë

Asfaltohet rruga Zym-Lugishtë-Dedaj në Has

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur sot se është shtruar shtresa e dytë me asfalt në rrugën Zym-Lugishtë-Dedaj të Hasit. "U shtrua sot shtresa...

Aksident në Prizren

Një aksident trafiku ka ndodhur dje në Prizren. Aksidenti ka ndodhur mes dy veturave. Përveç dëmeve të vogla materiale nuk raportohet për të lënduar. Marketing             Kliko https://www.facebook.com/PrizrenPress/videos/811508783644404 https://prizrenpress.com/ndermarrja-3d-fesali-ne-prizren-partneri-me-i-besueshem-per-cdo-projekt-ndertimi/ https://prizrenpress.com/mat-moto-sjell-motocikleta-elektrike/   https://prizrenpress.com/eli-edona-mobilieria-me-oferta-me-te-mira-ne-prizren/ https://prizrenpress.com/guraziu-ne-prizren-me-20-vjet-pervoje-pune-ne-vendosjen-e-dyerve-laminatit-parketit-kuzhinave-dhe-dhomave-te-fjetjes/ https://prizrenpress.com/adi-plast-ne-prizren-nje-emer-i-njohur-ne-tregun-e-kosoves-dhe-nderkombetar-per-vendosjen-e-dyerve-dhe-dritareve/ https://prizrenpress.com/banesa-ne-shitje-nga-renelual-tahiri/  

Lajmet e Fundit