9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Fjalor për të mos mbetur pezull

Agim BaçiKa provokuar me romanin e tij gjithë dilemat e mos-hapjes së dosjeve. Dhënë përmes sugjerimit si fjalor, Bashkim Shehu ka orientuar drejt enigmave, pa u marrë me zgjidhjen se si, por vetëm përse duhet. Ai ka aleat një fuqi të çuditshme, që ka mbajtur nën këmbë hapjen e dosjeve edhe pse zërat për të ndodhur ajo nuk kanë reshtur kurrë. Ndërkaq ka edhe sigurinë e emrit të tij, duke lozur me atë çka mund të mendojnë bashkatdhetarët e tij për të, për atë që ka dëgjuar ai, për atë që ka mundur ai ta shohë atëherë kur të tjerët nuk mundeshin, sepse ishte djali i njërit prej atyre që drejtonte çmendurinë.

Në fakt, për një bashkëqytetar të tij, për një njeri që ka jetuar me debatin e hapjes së dosjeve, si unë e shumë të tjerë, është e vështirë që libri të lexohet vetëm artistikisht. Fuqia e debatit e mund stilistikën edhe pse duhet pohuar gjuha e përzgjedhur e Shehut, i cili tashmë ka dëshmuar se di të qëndrojë mirë në shtratin e prozës me stilin e tij.

Shehu ndërton pikërisht tek ish-Blloku, i famshëm edhe sot, një zonë të nëndheshme – një metaforë e dykuptimësisë së asaj që ndodhte atje atëherë dhe sot. Duke lozur me idenë e tuneleve, me botën nën shtëpitë luksoze, nuk ndjen veçse ferrin nën këmbët e ish-udhëheqjes, jetën pa dritë të shumicës së shqiptarëve, që në terr duhej të ecnin kuturu. Asnjë “mur” nuk ishte i sigurt. As për ata që vetë e kishin ndërtuar.

Më pastaj botës së dykuptimtë, ku autori nuk i ka lënë “asgjëmangut”, vjen e ngrihet si mbret i mjegullës së jetës së shqiptarëve në 25 vitet e fundit edhe fytyra e “Këshillit Nokturn”, ose “Këshilli i Natës”, të përfolur gjerësisht se përmes mungesës së leximit të së djeshmes vijojnë të na drejtojnë të tashmen tonë. Këtu Bashkim Shehu shfrytëzon mjeshtërisht pikërisht pafuqinë e shoqërisë për t’iu imponuar politikës, që të zbardhnim gjithçka nga ferri i 50 viteve. E kur nuk vjen dot e lexuara e duhur, ndërhyn fantazia. Një shteg që Shehu ka mundur ta plugojë mjeshtërisht, përmes disa rrugëtime që ai ka dëshiruar t’i konsiderojë labirint të fjalorit të tij.

Nanun Gjika dhe Festim Diamanti janë dy personazhet kryesore. I pari ka rritur të dytin në punën e tij në “zemër të dosjeve” që ndërtonte “Drejtoria e Tmerrit”. Janë ndarë që në atë kohë, sepse duket se ai sistem funksiononte që “të gjithë mund të ishin të liq, por asnjëherë bashkë”. Dhe ndodh takimi i çuditshëm, jo “në atë botë”, por në përditshmërinë tonë. Një dialog që i thotë të tëra, pas shumë e shumë vitesh ku nuk kishin folur bashkërisht, sepse mësuesi ishte larguar nga vendi ku la nxënësin. Për vetë ata ishte i çmendur. Mos vallë i çmendur për shkak të asaj që di? Kjo mbetet enigmë, për vetë atë, për shokun e tij, dhe shkrimtari e çon edhe drejt vdekjes si të tillë shumë vite pas ndërrimit të sistemit, pa harruar t’i lërë pas “një sënduk dokumentesh”, siç ka mbetur vetë “sënduku i madh i së shkuarës nën diktaturë”.

Mes së shkuarës së pazbardhur dhe kontrollit imagjinar nga “Këshilli”, shkrimtari ka zbathur fantazitë e tij, pa lënë pas as legjendën për Katovicën, dukë shtuar dhe më tej shtratin e gjendjes pezull ku vijojmë ende të shtrihemi e të zgjohemi me fjalë nëpër dhëmbë. As këmbëngulja e gazetarit Romeo G, një njeri i gjendur nga fati mes Gjikës e Diamantit, nuk mundet dot të zbardhë asgjë, nuk del dot nga kjo mjegull që na ka pushtuar. Madje, as dyshimi e as pafajësia e tij për vrasjen e të dashurës, Mariana Kastrati, gazetare dhe ajo, që merrej me zbardhjen e së shkuarës, nuk largohen nga katrahura mendore e shpirtërore e atyre që kërkojnë ende.

Përballë kësaj të pamundure të deritanishme, Shehu sjell dhe risjell si një ëndërr-makth gjithçka që është luajtur në këto vite jo vetëm në emër të atyre që kanë vuajtur, por edhe të atyre që u kthyen në makinë çmendurie. Duke mos fshehur as thashethemin për një sozi të ish-diktatorit e as dyzimin e asaj që mund të arrijmë duke e lexuar të djeshmen.

Dhe, si për ironi të mosleximit të së djeshmes, Shehu guxon të provokojë me të afërmendshmen që thuajse ka ndodhur, përmes kurajës së marrë të atyre që hartuan dosjet, për të justifikuar si normale atë që ka ndodhur. Një instinkt për të bashkëjetuar me banalitetin, që nuk mund të shërohet kurrë pa pranuar të vërtetën.

“Të dënuarit që nxirrnin bakër (pirit) paguheshin me 14.99 % të rrogës së punëtorit të lirë, sipas shifrës që jep një ish-Oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Festim Diamanti, gjatë një interviste në njërën prej gazetave kryesore në vitin 2007. Po aty, thekson se, kjo nuk do të thotë që të dënuarit shfrytëzoheshin, sepse, përveç pagës, ata kishin ushqim falas në vlerën 5 lekë të reja në ditë, strehim falas në kapanone, ujë të rrjedhshëm falas për të pirë, për t’u larë dhe për të larë teshat , sapun të mjaftueshëm për t’u larë dhe për të larë teshat, pjata alumini dhe lugë alumini falas, transport falas nga vendi i paraburgimit në vendin e ruajtjes së dënimit, ose nga vendi i vuajtjes së dënimit në një tjetër sa herë të tilla lëvizje të ishin të nevojshme, dhe një varg shpenzimesh të tjera që bënte shteti për ta (pa llogaritur shërbimin shëndetësor, që ishte falas edhe për jo të dënuarit), sikurse shpenzimet për policët që i ruanin, për ushtarët e rrethimit me tela me gjemba, për ndriçimin e rrethimit natën dhe sistemin e alarmit në rastin e një tentative arratisjeje nga vendi i vuajtjes së dënimit, etj. Duke llogaritur edhe rrogat e gjykatësve që i kishin dënuar, prokurorëve që kishin ushtruar veprimtarinë e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe sidomos të hetuesve që i kishin marrë në pyetje, të cilët, për më tepër, në mjaft raste punonin pa orar, ditë e natë, dhe dietat e hetuesve e të prokurorëve nëse detyra i çonte me shërbim larg vendbanimit te tyre, atëherë, përfundon i intervistuari, mund të shihet se shteti jo vetëm që nuk i ka shfrytëzuar të dënuarit, por ka dalë ekonomikisht me humbje….” !!!!!!!!!! ( “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, Bashkim Shehu, f. 18-19)

Një ironi tragjike kjo e sjellë përmes gojës së një prej atyre që ka drejtuar këtë skëterr-jetë, si për të thënë se për aq kohë sa nuk kemi mundur të jemi të vërtetë me të shkuarën tonë, do të përfundojmë në të tilla tallje, siç ka ndodhur, jo më larg se disa javë më parë, kur një prej ish- drejtuesve të atij sistemi (Xhelil Gjoni), krenohej në një intervistë të tij, si personazhi Festim Destani, se kishte qenë ajo kastë e tij që kishte prodhuar demokracinë!!!! Një qëndrim banal që padyshim mbështetet tek pafuqia jonë për të parë të djeshmen me kurajë.

E megjithatë, libri i Shehut nuk është një libër historik e as investigativ. Është një provokim i guximshëm përmes letërsisë. Një thirrje e madhe për të mos iu shmangur të së vërtetës. Që të mos ngrysim jetën pa mundur dot të guxojmë të themi se ç’rrugëtim ndoqën paraardhësit tanë drejt humbjes së gjithçkaje njerëzore. Që të mos përfundojmë si në ëndërr, siç autori e sjell në fund shumicën e atyre që kërkojnë të lexojnë të djeshmen “duke shfletuar të gjithë fletë të bardha e duke u qelbur nga kutërbimi i së keqes që prodhon prapanica që nuk guxoi asnjëherë ta dijë kush ishte dhe çfarë ndodhi me të”.

Ironia artistike në këtë rast është përputhur me ironinë e përditshmërisë sonë në 25 vitet e fundit, ku pyetja mbi të shkuarën na duhet të na vijë nga një prej atyre që ka jetuar “parajsën dhe ferrin”. A kemi nevojë që dikush të na thotë se leximi i së djeshmes është shërim? Bashkim Shehu ka hyrë përmes letërsisë në këtë errësirë, duke tentuar të ndezë të paktën një qiri./Agim Baçi/

Më Shumë

Prizren, arrestohen 2 persona sulmuan zyrtarët policorë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në Prizren, pasi që ata kishin sulmuar zyrtarët policorë. Njëri nga të dyshuarit është dërguar...

Mira Murati, anëtarja më e re e Akademisë së Shkencave

Shqiptarja Mira Murati, një nga emrat më të njohur në botën e teknologjisë, do të jetë pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Asambleja e...

Lajmet e Fundit