Në gjykimi ndaj ish-kryetari të Malishevës Ragip Begaj dhe të tjerëve, dëshmitari Fatmir Limaj deklaroi se është bërë një dëme i madh mos funksionalizimi i Zonës Ekonomik në Malishevë pasi që do të krijoheshin fitime deri në 50 ose 60 milionë euro.
Tutje, dëshmitari Limaj tha se vendimi për mos themelim të kësaj zonë është tërësisht politik dhe se në pozitën e të akuzuarve duhet të jenë personat që kanë ndaluar themelimin e kësaj zone dhe jo individët që janë tashmë prezent në akuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu Limaj tha se ndihet krenar që sa ishte pjesë e Qeverisë dhe që kishte votuar një propozim të tillë për themelim të kësaj zone.
Limaj tha po ashtu se vendimi për themelim të kësaj zone ishte edhe me propozimet e vet agjencisë së specializuar KIESA dhe se i kishte kaluar të gjitha kriteret e përcaktuar për tu themeluar si zonë ekonomike.
Ndërkaq, i pyetur nga prokurori special Naim Abazi, dëshmitari Limaj tha se shkarkimin nga pozita e ministrit tani të akuzuarit Hasani nuk kishte të bënte lidhur me këtë propozim për themelim të kësaj zone dhe se programi ishte asisoj që të bëhen ndërrime të ministrave.
Lidhur me këtë pyetje paraprakisht kishte kundërshtim nga mbrojtësi i të akuzuarit Hasani, avokati Ymer Huruglica që të mos pyetet për dëshmitë që ka dhënë klienti i tij në prokurori pasi që nuk lejohet.
Por trupi gjykues mori aktvendim dhe lejoi parashtrimin e kësaj pyetje nga prokurori Abazi.
Dëshmitari Limaj po ashtu sqaroi se për këtë zonë ekonomike Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar afro 20 memorandume të bashkëpunimit me biznese nga diaspora që të sjellin praktika e bizneseve evropiane në këtë zonë.
Po ashtu dëshmitari Limaj shtoi se kjo nuk ishte zone ekonomike vetëm për qytetin e Malishevës, por për shkak të pozitës së saj se ku do të themelohen konsiderohej se ishte në një pozitë që do të shërbente si zonë ekonomike në nivel republikanë.
Tutje, dëshmitarit Limaj theksoi se ndërtimi dhe shpronësimet për themelimin e kësaj zonë do të arrinte vlerën e 10 milionë eurove.
Lidhur me propozimin për themelim të zonës në fjalë, dëshmitari Limaj tha se gjithnjë në Kosovë kur tentohet të punohet të krijojnë probleme që nuk mund të imagjinohen.
Paraprakisht në këtë seancë dëshminë e dha edhe Ramush Haradinaj i cili në pyetjen e mbrojtësi të të akuzuarit Hasani, avokatit Ymer Huruglica tha se fillimisht propozimi për krijimin e kësaj zonë në Malishevë ishte kthyer për plotësim, kurse në herë e dytë propozimi për krijim të zonës ka kaluar.
Në lidhje me propozimin për krijimin e zonës Ekonomike në Malishevë, dëshmitari Haradinaj tha se ishte orientim i Qeverisë në atë kohë që të bëjë themelimin e zonave biznesore me qëllim që para investitorëve të dalin sa më serioz.
Për aprovimin e kërkesë për themelim të kësaj zonë, dëshmitari Haradinaj tha se kërkesa ka kaluar standardin e kërkuar ligjor për votim kolektiv nga Kabineti i Qeverisë .
Dëshmitari Haradinaj po ashtu tha se nuk ka pasur presione politike nga partneri i koalicionit në Qeveri që të aprovohet kërkesa e tillë për themelim të kësaj zone pasi që sipas tij, po të kishte kushtëzime do ta prishte koalicionin menjëherë.
Seanca e së martë përfundoi pasi që nuk kishte dëshmitar të tjerë prezent për të dëshmuar duke u caktuar e radhës me 6 tetor 2023.
Haradinaj dhe Limaj në Gjykatë për të dëshmuar në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Malishevës dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion
Prishtinë-Në Gjykatën Themelore të Prishtinës në shqyrtimi gjyqësorë në çështjen penale ndaj akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj, prezent për të dhënë dëshminë e tyre janë paraqitur ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ish-zëvendëskryeministëri Fatmir Limaj.
Në cilësi të dëshmitarit Haradinaj dhe Limaj janë propozuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Hasanit, avokati Ymer Huruglica, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.
Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.
Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.
Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.
Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.
Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.
Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.
Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.
Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Neëco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007. /BetimipërDrejtësi