8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Gjykimi ndaj komandantit të nënstacionit policor në Zhur, dëshmitari thotë se ai kishte të drejtë të ndryshojë e plotësojë tiketën kundërvajtëse

Dëshmitari Vllaznim Fanaj tha se i akuzuai Ziber Susuri si mbikëqyrës i nënstacionit policor në Zhur, ka pasur të drejtë për të ndryshuar dhe plotësuar tiketën lëndore dhe se është e lejuar që tiketat për kundërvajtje të kontrollohen dhe të nënshkruhen më parë nga mbikëqyrësi.

Këtë deklarim, dëshmitari Fanaj e bëri në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka filluar shqyrtimi gjyqësor ndaj Ziber Susurit, komandant i Nënstacionit Policor në Zhur, i cili po ngarkohet me veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit kryesor, fillimisht prokurorja e Shtetit Arjana Shajkovci lexoi aktakuzën e që pas kësaj i akuzuari Ziber Susuri u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.

Në fjalën e saj hyrëse, prokurorja Arijana Shajkovci deklaroi se pas pranimit të kallëzimit penal si dhe pas hetimeve ndaj këtu të akuzuarit, është vërtetuar se ka dyshim të bazuar se i akuzuari Susuri ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, andaj pas administrimit të provave do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Susuri, avokati Hazer Susuri në fjalën hyrëse deklaroi se aktakuza e ngritur në këtë rast nuk mund të qëndrojë, pasi që nuk ka prova që i njëjti e ka kryer këtë vepër penale.

Po ashtu, ai theksoi se akteri kryesor në këtë rast është Qamil Krroni, ndaj të cilit për arsye të panjohura është hudhur kallëzimi penal, e që pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet teza se i akuzuari është i pafajshëm.

Pas kësaj, është vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Vllaznim Fanaj, zyrtar policor.

Dëshmitari Fanaj deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna në prokurori, më 8 shtator 2021 dhe 29 shtator 2021 dhe shtoi se pjesërisht qëndron në atë se çfarë pyetje nuk i ishin bërë në prokurori.

Ndërsa, theksoi se ai e ka plotësuar fletëparaqitjen për kundërvajtje të shqiptuar ndaj Majlinda Elshanit më 27 mars 2021, së bashku me oficerin Driton Krasniqi, e të cilën pastaj e kishte dorëzuar në nënstacionin policor në Zhur.

Dëshmitari Fanaj tha se i akuzuari Ziber Susuri si mbikëqyrës i nënstacionit policor në Zhur ka pasur të drejtë për të ndryshuar dhe plotësuar tiketën lëndore dhe se është e lejuar që tiketat për kundërvajtje të kontrollohen dhe të nënshkruhen më parë nga mbikëqyrësi.

Ai shtoi se ka qenë i urdhëruar nga Komandanti i Stacioni Policor në Prizren, Qamil Kroni për të ndryshuar tiketën e shqiptuar për kundërvajtje dhe se kjo është bërë përmes “Mesengjerit” të “Facebookut” dhe se për këtë e kishte informuar edhe Ziber Susurin.

Ndërsa dëshmitari Driton Krasniqi (zyrtar policor) deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori dhe shtoi se së bashku me oficerin tjetër policor Vllaznin Fanaj e kishte shqiptuar tiketën e kundërvajtjes të 27 marsit 2021 ndaj Majlinda Elshanit.

Tutje, dëshmitari tha se këtë tiketë e kanë dorëzuar pranë nënstacionit policor në Zhur ku është regjistruar dhe pastaj vendosen në një boks të veçantë.

Ai shtoi se komandanti i nënstacionit policor Ziber Susuri ka të drejtë që tiketat t’i marrë dhe t’i kontrollojë për ndonjë gabim eventual, e nëse ka gabime kërkon nga ta që të shkruhet një raport për gabimin eventual.

Pas kësaj, në shqyrtimin e sotëm është bërë leximi i provave ku është administruar fletëparaqitja për kundërvajtje e 27 marsit 2021 dhe transferi i postës së Kosovës me nr. të pagesës 11611882-2021 e 29 marsit 2021.

Ndërsa, për shkaqe objektive seanca e sotme është ndërprerë dhe do të vazhdojë më 25 maj 2022.

Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2021 të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Ziber Susuri akuzohet se si person zyrtar – komandant i Nënstacionit Policor në Zhur, shënon të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar – Fletëparaqitjen për Kundërvajtje të 27 marsit 2021, të lëshuar kundër kundërvajtëses Majlinda Elshani nga zyrtarët policorë Vllaznim Fanaj dhe Driton Krasniqi, sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje nga neni 72.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor (Ligji nr.05/L-088), dhe për të cilën të njëjtës i është shqiptuar gjoba në shumë prej 200 euro, masa mbrojtëse – marrja e patentë shoferit për tre muaj dhe shqiptimi i një pike negative.

Aktakuza thotë se i pandehuri, më 29 mars 2021, ndërhyn në fletëparaqitje duke shënuar se kundërvajtësja ka kryer kundërvajtje nga neni 78.1, tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse dhe pikën negative duke fshirë me laps-kimik, fshin edhe tek vendi ku shkruan “Dokumenti i konfiskuar”, ku ka qenë i shënuar numri i patentë shoferit të kundërvajtëses, vë nënshkrimin e tij tek “Nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe shënon numrin e ID-së së tij, me të cilin nënshkrim vërteton këtë dokument zyrtar që përmban të dhëna të rreme.

Me këto veprime, i pandehuri Ziber Susuri akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Reshjet e borës e bëjnë me “bardhësi” Prevallën (VIDEO)

Pas reshjeve të shpeshta të shiut që kanë rënë këto ditë, kanë nisur edhe ato të borës. Lexues të Klankosova.tv kanë dërguar video nga Prevalla...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit