9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Gjykimi për tentim vrasje, njëri i akuzuar kërkon përjashtimin e trupit gjykues

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, i akuzuari Agron Sopaj ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, me arsyetimin se i është ndërruar deklarata nga procesverbali i rikonstruimit të vendit të ngjarjes.

Në këtë rast, Rinor Xhaferi akuzohet për “Vrasje në tentativë”, Bekim Xhaferi akuzohet për “Pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa Agron Sopaj akuzohet për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Lëndim të lehtë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kur kemi dalë në rikonsturimin e vendit të ngjarjes dhe se unë kur e kam marrë procesverbalin e rikonstruimit të vendit të ngjarjes, kam vërejt diçka që nuk kam thënë dhe nuk e kam përjetu ashtu siç është e shënume. Nuk mundem me pranu diçka që nuk kam thënë. Unë nuk po shoh diçka të rregullt që nga prokuroria e deri te gjykata. Perderisa të bëhet ndërrimi i deklaratës, unë nuk besoj asgjë, kërkoj përjashtimin e trupit gjykues në këtë çështje”, ka thënë i akuzuari Sopaj.

Po ashtu, ai tha se për këtë ndërrim të deklaratës, i është drejtuar me kërkesë trupit gjykues, por që kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi tha se nuk ka pranuar një të tillë.

Në fund, gjykatësja Skenderi mori vendim që të ndërpriten të gjitha veprime në këtë çështje penale, derisa kryetarja e gjykatës të vendos lidhur me përjashtimin e trupit gjykues.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin për këtë rast, e ku i akuzuari Rinor Xhaferi, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe e ishte dënuar me 15 muaj burgim.

Kurse, Bekim Xhaferi ishte shpallur fajtor për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” dhe të ishte dënuar me tre muaj burgim.

Ndërsa, Agron Sopaj ishte shpallur fajtor për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Lëndim i lehtë trupor”. Për lëndim të rëndë trupor, Sopaj ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.

Por pasi që palët kishin ushtruar ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019, e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Fillimisht, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo pas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit Agron Sopaj, gjykatësi Osmani me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjykatësja Ajser Skenderi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi, akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.

Sipas prokurorisë, vepra ishte kryer në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, i akuzuari Rinor Xhaferi së bashku me babanë e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.

Për këto veprime, Rinor Xhaferi akuzohet nga prokuroria ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Ndërsa, Bekim Xhaferi akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime, Bekim Xhaferi po akuzohet se ka kryer veprën penale, pjesëmarrja në rrahje.

Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.

Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime, ai akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” si dhe “Lëndim i lehtë trupor”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Vdes në QKUK personi që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

Ka vdekur në QKUK personi i cili u aksidentua gjashtë ditë më herët në Prizren. Policia ka bërë të ditur se viktima ishte duke u...

Real Madrid e mposht Barcelonën, blindon kreun e La Liga-s

Real Madrid e ka mposhtur sërish Barcelonën, duke e blinduar kreun e La Liga-s. Skuadra madrilene triumfoi me rezultat të ngushtë 3:2, me anglezin që...

Lajmet e Fundit