-6.5 C
Prizren
E diel, 11 Janar, 2026

Gropat dhe ndërgjegjja e humbur

Nga Shkëlzen Çoça

Nuk ka më kuptim të flasësh për zhvillim kur flitet për gropa – morale, fizike, politike, shoqërore dhe ekonomike. Dhe më ironikja është se secili bie në gropën që vetë e ka hapur. Pastaj bëhet viktimë.

Çdo “reformator” hap një gropë të re dhe e quan “projekt transformues”. Çdo “patriot” që mashtron, korrupton dhe shkatërron, e quan veprimin e tij “sakrificë për atdheun”. Çdo “lider” që zhyt vendin edhe më thellë në krizë, thotë se “kjo është trashëgimia”. Dhe çdo njeri që bie, shikon rreth e rrotull për të gjetur dikë tjetër për ta fajësuar. Vetëm veten, kurrë!

Në një sistem ku llogaridhënia është fyerje e turpi është fjalë e huaj, ironikisht gropat po shndërrohen në pasuri. Nuk mbushen, por mbrohen. Disa janë bërë aq të thella, sa mund të përdoren për të fshehur të gjitha premtimet e pambajtura, tenderët e vjedhur dhe idealet e rreme.

Sistemi është ngritur në mënyrë të tillë që nuk ndëshkohet ai që e hapi, por ai që guxon të flasë për të.

Sarkazma është se këtë e quajmë “demokraci”. Ironia është se e bëjmë me vetëdije. Dhe tragjedia është se jemi mësuar me to. I kalojmë, i shmangim, i justifikojmë. Në vend që t’i mbushim, i përdorim si arsye për të mos bërë asgjë.

Në një vend normal, njerëzit i mbushin gropat për të ecur përpara. Te ne, i hapin dhe presin që të tjerët të bien brenda.

E vetmja gjë që nuk mungon është thellësia. Jo ajo e mendimit, por ajo e gropave.

Dhe përgjigjja për të gjitha ndodhet pikërisht në thellësinë e saj ku kemi rënë. Aty, poshtë, je i lirë të zgjedhësh: ose të fillosh të ngjitesh, ose të gërmosh edhe më thellë!

Më Shumë

Junior 06 mposht Trepçën në Prizren

Junior 06 ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Trepçës me rezultat 72:66 (22:14, 22:18, 22:18, 6:16), në kuadër të javës së 12-të të Superligës...

Bora ngrin Bashkimin në Prizren

Në një dramë të vërtetë të zhvilluar në Prizren, Bora fitoi ndaj Bashkimit me shifrat 83:85 (20:18, 21:22, 23:25, 19:20), në javën e 14-t...

Lajmet e Fundit