9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Hysni Hoxha përjashtohet nga seanca gjyqësore që po mbahet për rastin e njohur “KEK 2”

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është përjashtuar nga seanca gjyqësore që po mbahet për rastin e njohur “KEK 2”, ku së bashku më të, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e tenderit për sigurinë fizike në KEK, po akuzohen edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj dhe katër të akuzuar tjerë.

Vendimi i tillë u mor nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, me arsyetimin se Hoxha nuk e ka respektuar autoritetin e gjykatës.

Gjykatësi Kalludra deklaroi se, pas dhënies së mbrojtjes, me rastin e ndërprerjes së seancës për një pauzë të shkurtër, i akuzuari Hoxha ka kërkuar nga trupi gjykues leje për të liruar sallën e gjykimit për pak minuta, për arsye personale, por i njëjti më pas nuk është kthyer.

Në këto rrethana, gjykatësi Kalludra mori aktvendim për përjashtimin e tij nga seanca e shqyrtimit të së hënës deri në fund të përfundimit të kësaj seance, siç u tha,  për shkak të mos respektimit të autoritetit të gjykatës.

Me këtë rast, gjykatësi ka kërkuar bashkëpunëtorit në gjykatë që t’i thuhet policisë që nuk i lejohet hyrja.

Për këtë ka reaguar mbrojtësi i Hoxhë-s,  avokati Sahit Bibaj, i cili deklaroi se klienti i tij nuk është mirë me shëndet.

“Ju lutem me shëndet nuk është mirë, ndoshta ka dal me pi ujë apo diçka e tillë”, ka thënë avokati Bibaj.

Ndryshe, gjykimi është duke vazhduar, ku i akuzuari Azem Duraku është duke dhënë mbrojtjen e tij.

“Betimi për Drejtësi” po vazhdon ta monitorojë seancën, për çka do të raportojë në vazhdimësi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.

Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Peja triumfon ndaj Yllit

Peja ka shënuar fitore ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 98:86 (25:23, 27:21, 26:19, 20:23), për të ngushtuar serinë gjysmëfinale të “Play-offit” në 2:1. Te...

Dy arsye pse Allegri mund të shpëtojë punën e tij te Juventusi

Massimiliano Allegri thuhet se mund të shpëtojë punën e tij te Juventus-i për dy arsye, edhe nëse bardhezinjtë duket se kanë marrë tashmë një...

Lajmet e Fundit