Raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pikën e tyre më të ulët, kjo pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.
Kur në pyetje janë këto marrëdhënie ish-zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, sugjeron që liderët aktual të Kosovës të marrin shembullin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës.
Në vlerësimin e ish-ambasadorit të SHBA-ve në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje e Hercegovinë, Kosova në këtë fazë ka nevojë për një burrështetas, e jo një person të mllefosur.
“Kur fillova të punoj për herë të parë me Kosovën mbi 30 vjet më parë, ishte mjeshtëria e Ibrahim Rugovës që solli vëmendjen e botës në Kosovë. Në vitin 2024, Kosova ka nevojë për një burrështetas – jo për mllef”, thotë Moore në një intervistë për Albanian Post.
Marrë për bazë konsolidimin e munguar të shtetësisë së Kosovës dhe nevojës së saj për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për t’i arritur qëllimet e saj në arenën ndërkombëtare, diplomati i karrierës merr si shembull procesin e anëtarësimit të Suedisë e Finlandës në NATO, për të pasqyruar rëndësinë e bashkëpunimit me Perëndimin.
“Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, shton ai,
I pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të në mbarëvajtjen e procesit të dialogut, ish i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Bjellorusi dhe ish-zëvendës-shefi i misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje e Hercegovinë, potencon se askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e tyre.
Meqë në vlerësimin e tij ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërmarrë hapa pozitivë dhe të tregojë aftësi për të menaxhuar politikat në atë mënyrë për të fituar mbështetje pozitive në këmbim.