Ish-shefi i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, ka mohuar ta ketë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ai përmes lotëve, ka mohuar fajësinë.
Sipas aktakuzës, Mazreku po akuzohet se me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari Mazreku deklaroi se kabllon elektrike me gjatësi prej 410 metra e kishin dërguar në Gajrak të Malishevës në mënyrë që t’u ndihmohet banorëve të atij fshati.
Sipas të akuzuarit, Komuna e Malishevës ka lidhur kontratë me firmën “Leoni” për furnizim me kabllo elektrike dhe se detyra e tij ka qenë vetëm për ta parë kabllon në vendin e ngjarjes.
Ai tha se nga furnizuesi për arritjen e kabllos në vendin e ngjarjes është njoftuar përmes telefonit, ndërsa i pyetur se a kanë përpiluar diçka me shkrim lidhur me pranim-dorëzimin, ai tha se jo, pasi që sipas tij, ai ka menduar se kjo firmë është llogaritur edhe si punëkryerës.
Ndërsa, i pyetur nga gjykatësi Mentor Bajraktari nëse ka menduar se firma “Leoni” ka për ta bërë instalimin e kabllos, atëherë pse e kanë dorëzuar ata kabllon te ai, i akuzuari tha se ka menduar se po shkon veç që t’i thotë që ta shikojë kabllon se a është kjo që ka për ta vendosur.
I pyetur se a ka bërë fotografi në vendin e ngjarjes, përkatësisht të kabllos elektrike, ai tha se jo.
E kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani e pyeti të akuzuarin se nëse kontrata është nënshkruar dhe menjëherë të nesërmen është bërë furnizimi, sipas gjykatësit a nuk duhet të pritet afati i ankesave nga palët tjera që nuk kanë fituar tenderin, ai tha se e din që ka të drejtë ankese, mirëpo nuk e din për afatin.
I pyetur se çka din në lidhje me disa ankesa të banorëve të atij fshati, ai tha se e din që nuk kanë lejuar banorët që të vendosen telat e zhveshur nga KEDS-i.
Më pas, e pyeti gjykatësi Komani se si a ka fituar bindjen ai se firma “Leoni” ka për ta instaluar kabllon, ndërsa tash po thotë që banorët nuk e kanë lënë KEDS-in që ta instalonte kabllon, i akuzuari tha se ka menduar se këtë do ta bënte firma “Leoni”.
E prokurori Ramiz Buzhala tha se i duhet kohë në mënyrë që të përgatitet për fjalën përfundimtare, duke bërë kështu që seanca e radhës të caktohet më 16 janar 2020, në ora 13:30.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi