Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim

Nga VISAR ZHITI

Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim,
s’janë vetëm lëkura patatesh,
qepësh e gazetash të hedhura
apo këpucë të kalbura,
apo mace të ngordhura.

Janë shtuar plehrat dhe janë zbukuruar
ngjyra – ngjyra si fundi i një ëndrre në mëngjes,
letra çokollatash vezulluese,
ambalazhe gjë a gjëzash,
fotografi lakuriq artistësh të ndaluar,
kuti të bukura pijesh të jashtme,
plehra të shtrenjtë: një kasetë, gjysmë manjetofoni, skelet veture.
Ja ca furça dhëmbësh
si picirrukë përrallash
që kanë vdekur.

Pirgje me plehra, kapakët e shqyer të veprave të diktatorit,
fotografitë e tij të qeshura dhe pis.
Kalojmë anash plehrave, mespërmes plehrave,
plehra në kujtesë, në biseda, në karrierë
dhe plehrat ndonjëherë janë më pak të shëmtuara,
të dëmshme më pak.

***

Më njohu
qeni i gërmadhave,
edhe pse s’më kishte parë kurrë.
M’u hodh te këmbët,
lëpiu me gjuhë
mallëngjimin tim dhe lehu i ngazëllyer.

Qetësohu, qetësohu,
ngushëllim i errët imi,
lozonjar i tëri.

Sa kohë u bënë
që ledhatoj hijen time,
përpara prin
dhe më pret si qen shtëpie
në qoshe tragjedish?

Unë i hedh
maska të lumtura.
Luaj me to,
rrokullisi me putrat e pista
sarkazmave të truallit.

***
Duke vrarë këngët
e palindura akoma
nga që s’rrjedhin gjak,
të duket sikur s’ke bërë asgjë

Pse kanë këngët kufoma?

E ku e kanë varrin?

Gjëra të tilla mund të thuash
dhe për ajrin.

Më Shumë

RrOK kritikon Komunën e Prizrenit për subvencionet kulturore për vitin 2026

Rrjeti i Organizatave të Kulturës (RrOK) ka reaguar në Facebook, duke shprehur shqetësim të thellë ndaj Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën...

Aktakuzë ndaj shoferit që goditi për vdekje një 34-vjeçar në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet D.D, për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”. Sipas aktakuzës, më 18 mars...

Kosova voton sot

Lajmet e Fundit