Në Prishtinë sot nis konferenca shkencore ndërkombëtare “Java e Albanologjisë”. Ky aktivitet organizohet për herë të katërt nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ka për qëllim prezantimin e rezultateve një vjeçare të albanologëve nga vendi dhe bota.
Drejtori i Institutit, Hysen Matoshi, deklaroi për KultPlus, se pjesëmarrjen për këtë edicion e kanë konfirmuar rreth 150 studiues dhe albanologë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Turqia dhe Jordani. Ata do të paraqiten me kumtesat e tyre në 5 sesione, të cilat do të mbahen në degën e gjuhësisë, folklorit, letërsisë , etnologjisë dhe historisë. Matoshi bëri të ditur se në kuadër të kësaj konference shkencore do të marrin pjesë studiuesit e njohur si Dalibor Jovanovski nga Universiteti i Shkupit, Igor Despot, studiues kroat, Mehmet Allkan nga Universiteti i Stambollt si dhe Muhamet Mufaku nga Jordania.
Në ditën e parë do të mbahen nga dy seanca në degën e Gjuhësisë dhe atë të Folklorit. Në kuadër të fushës së gjuhësisë do të trajtohet tema “Shqipja dhe rrethanat e sotme sociolinguistike dhe sociopolitike”, ndërsa në atë të folklorit “Mendimi teorik në folkloristikën shqiptare”.
Ndërkaq studiuesit e letërsisë, në ditën e dytë të konferencës, do të paraqiten me kumtesat e tyre në temën ”Letërsia shqipe mes dy luftërave botërore” ndërsa në fushën e etnologjisë do të trajtohet “Përditshmëria, tradita dhe moderniteti”. Në ditën e fundit studiuesit e fushës së historisë do ti shpalosin rezultatet e punës shkencore në kuadër të temës “Shqiptarët, fqinjët dhe fuqitë e mëdha në rrjedhat e historisë”.
Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi tha se pas konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, do të botohen të gjitha kumtesat dhe do të jenë në dispozicion për opinionin e gjerë.