3.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026

“Komandantët” e dasmave!

Agim MuhaxheriAgim Muhaxheri

Njerëzit e pushtetit bartin armë me leje. Mund të bartin edhe qytetarët. Për “kallasha”, “gulinova” e armë të tjera “të gjata” nuk jepet leja! Vringëllima nga armët është krim. Paragrafi i kap njësoj, si pushtetarin, si qytetarin e rëndomtë. Armën e “mbushë dreqi” dhe kur shtie nga ajo, e vret dikë me pahir ndëshkohesh për vrasje, për lëndim të rëndë, apo të lehtë, për armëmbajtje pa leje, rrezikim të përgjithshëm. E drejta zakonore shpesh bie ndesh me të drejtën në fuqi dhe mu për këtë lindin problemet me zgjidhjen e të cilave merren “kirurgët” e procesit, prokurorët dhe gjykatësit.

Shqiptari shtie nga arma në rast të ndonjë gëzimi, kur i lind fëmija, për “dorë nuse”, fejesë, martesë…
Kur bëhet teslimi (dorëzimi) i nuses, i ati apo i afërmi i nuses i drejtohet të zotit të dasmës me fjalët: “Gjaku im, robi yt…”. Ky ceremonial shoqërohet me të shtëna nga armët. Kjo është një e drejtë zakonore. Fjala “teslim” nënkupton: Në dorë të një tjetri, në zotërim për ta ruajtur sipas marrëveshjes.
E drejta zakonore shpesh bie ndesh me të drejtën në fuqi.
Pastaj lindin problemet, me të cilin merret policia, prokurorët, gjykatësit dhe subjektët e tjerë të procedurës penale.
Ndjenjën e gëzimit, në dasma, syneti e ahengje të tjera e shprehim me të shtëna armësh. “Komnadantët” e dasmave sikur janë bërë imunë, nuk ndiejnë fare për ruajtësit e rendit. Madje, zihen me ta, u thonë: Kush je ti me ma prish qejfin?

Ka prej tyre që i kërcënohen policit sipas asaj: A e di ti kush jam unë, të deshi menjëherë! Polici identifikon shtetin. I bien shtetit flakaresh! Kur i çojnë “atje poshtë”, bëhen pula…

Njëri nga ta keqpërdori autoritetin e të vëllait, si luftëtar dhe ministër në detyrë. Shprehu gëzimin e tepruar për martesën e dy nipërve të tij, shtiu me breshëri plumbash nga arma e gjatë, “kallashi”, dhe përfundoi brenda grilave.
Shteti veproi ex lege, e çoi te vendi të pandehurin.

Vringëllima e armëve në ahengje është bërë dukuri, ves i keq yni. Vringëlluesit nuk e vrasin mendjen se shkelin me të dy këmbët Kodin Penal të Kosovës (2003).

Armët me leje i bartin njerëzit e pushtetit dhe të tjerët. Qytertarët e rëndomtë kanë të drejtë t’i bartin armët me leje, revolen dhe pushkën e gjahut. Për “kallasha” e “gulinova” nuk jepet leja!
Thuhet se rapsodi ynë Riza Bllaca e ka pasur zërin pushkë. Kur ka kënduar i ka “shkymë llambat”. Zëri i tij kumbues ka bërë që të tjerët t’i nxjerrin alltiat nga brezi dha ta kallin… Kjo i ka ndodhur edhe këngëtarit Afrim Muçiqit kur ka kënduar në ndonjë dasmë në Drenicë e gjetiu. Këtë fakt e bëri të ditur Afrimi në emisionin “Oxygen” të KTV-së, të drejtuar nga Besimi (Dina).

Jo vetëm në Llaushë të Skenderajt, por edhe në Prekaz, në fshatrat e Dukagjinit etj. bëjnë gara se kush po “e kallë” më shumë me “kallasha”. Breshëria e plumbave të kujton luftën… Vringëlluesit e armëve trimërohen me fjalët: O prite dajë, prite…!
E kemi në qejf të jemi bajraktarë, të parët në katund, t’i kallëzojmë komshiut, mëhallës se kush jemi e çka jemi. Na mbërthejnë emocionet, pa e vrarë mendjen se të tjerëve ua prishim qetësinë dhe mund t’u shkaktojmë ndonjë të keqe.

Në gazeta e portale shohim fotot e atyre me armë të gjata duke shtënë në dasma. Krijohet përshtypja se sheh skenën në Irak, Siri, Afganistan… Vringëlluesit e armëve te ne në Kosovë shtijnë me vullnet të madh. Sikur të kishin shtënë, kur është dashur të shtiejnë gjatë luftës në Kosovë, nuk kishte pasur nevojë të intervenojë NATO-ja. Të tillët do të na kishin zdritur fytyrën… Por të shtiesh në paqe, kjo është një aventurë e rrezikshme. Ky veprim e ka një emër, është krim.

Në kreun XXX të Kodit tonë penal janë paraparë veprat penale të armëve. Veprimin e atij që s’ka leje, ligjvënësi e ka cilësuar – Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 374). Për këtë vepër penale mund të dënohesh deri në pesë vjet burg. Ndërkaq, në nenin 375, paragrafin 2 është paraparë:

“Kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese,
dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) euro dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet”.

Armën e “mbushë dreqi”. Ajo nuk ka besë. Dikujt, në dasëm mund t’i rrëshqet dora t’i “korrë” dasmorët, ta vret apo plagos dikë me pahir. Kemi të bëjmë me veprën penale – vrasje nga pakujdesia (neni 181) dhe për këtë dënimi është i paraparë prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Me kaq vjet burg mund të dënohesh edhe për lëndim të rëndë trupor (neni 189).

Vringëlluesin e armës mund ta kapë edhe neni 365- Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm. “Kushdo që me anë të zjarrit, vërshimeve, armëve… shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”.
A vlen ligji “erga omnes”, njësoj për të gjithë?
Unë them se nuk vlen. Ata që e kanë shpinën e nxehtë, s’i kap ligji. Ndërsa fukarenjtë i kap ligji, i çojnë te vendi.

Po t’u tregohen “dhëmbët” vringëlluesve të armëve, ndryshe do të këndohet kënga.
Kur shteti e shkel ligjin, kësaj i thonë vrasje juridike.

Më Shumë

Vdes 44-vjeçari nga Prizreni, kishte rënë nga lartësia

Një burrë nga Prizreni ka vdekur pas lëndimeve që ka marrë pasi kishte rënë nga lartësia, mëson Klan Kosova. Sipas burimeve të Klanit, burri ishte...

Sfida interesante në Ligën e Parë të meshkujve

Këtë javë zhvillohet xhiroja e 13-të në kuadër të Liga e Parë e Meshkujve, ku janë paraparë tri ndeshje interesante që pritet të ndikojnë...

Lajmet e Fundit