Shkruan: Bekim Rexhepi
Legjitimimi i kriminelëve në strukturat e shtetit
Shumë drejtues të SHIK-ut janë pjesë e institucioneve
Marrëveshja për “Zajednicën” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Gjykata Kushtetuese e vendit duhet ta hedhë poshtë këtë marrëveshje, sepse kapërcen ligjshmërinë e çështjeve që janë përcaktuar si një rregullim i brendshëm shtetëror dhe jo më si një rregullim tjetër i çështjeve të jashtme
Pse nuk kemi më shumë denoncime të krimeve? A e ndihmon shoqërinë fshehja e krimeve dhe çfarë përfiton shteti nga kjo fshehje e krimeve dhe kriminelëve? Janë këto pyetje që duhet të ekzaminohen nga institucionet e pavarura dhe përgjegjëse të vendit. Ka vite që në Kosovë flitet për krime të organizuara, dhe për këtë më e përfolura mbetet organizata e vetëquajtur SHIK – u, organizatë kjo e një llumi të kuqësh, e fshehtë dhe pa legjitimitet në veprimtarin e saj në Kosovë dhe jo vetëm. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë, sepse kriminelet janë të njëjtë, sipas asaj se si kriminelët nuk luajnë asnjë rol pozitiv. Dhe meqenëse një vend i përkushtuar në të drejtën ligjore dhe i përcaktuar të kërkojë karakterin pozitiv të ligjit duhet të identifikojë pa dallim kriminelët. Duke gjykuar mbi pozitivitetin, e drejta civile duhet të vihet në vend vetëm dhe për mes masave ligjore, sepse në të kundërtën e saj do të kemi një lloj të legjitimitetit kriminal nga neglizhenca e institucioneve, të cilat nuk zgjedhin mjete për ta kapur krimin dhe kriminelët. Një krim dhe një kriminel i lirë është satisfaksion i dhimbshëm, i mallkueshëm për një shtet të së drejtës. Secili njeri në bazë të së drejtës civile ka të drejtë të dijë dhe të aktpadisë shkelësin e të drejtës së tij, që më parë i është garantuar nga shteti, por kur shteti nuk mund të garantoj këtë të drejtë civile, atëherë do të kemi një natyrë të ngjashme me legjitimitetin e krimit dhe të kriminelëve në strukturat e shtetit.
SHIK-u në krye të shtetit
Pak a shumë në Kosovë shteti është i kapur nga kriminelët, sepse shumë drejtues të SHIK-ut, janë pjesë e institucioneve, dhe prandaj kanë të drejtë mëdyshjet ndërkombëtare se Kosova përbën një shqetësim. Shqiptarët duket se janë bërë imunë të krimit dhe të kriminelëve të tyre, madje krimi dhe kriminelët kanë edhe legjitimitet politik, ekonomik dhe përfundimisht atë ligjor, sepse janë të rizgjedhur. Shqiptarët nuk kanë guxim që të nxjerrin shtetin e tyre nga duart e krimit dhe kriminelëve, apo që shtetin e tyre domosdoshmërish ta kthejnë në të drejtën civile, sepse tashmë kjo e drejtë e tyre përmbarohet nga krimi dhe kriminelë të zgjedhur me votë. Gjendja në Kosovë është një fotografi e kuptueshme dhe shprehje e vetëdijshme e shoqërisë së veçantë (partikulare), mosndarja nga lidershipi i krijon përmasat e një shoqërie apolitike, që gjërat madhore u besohen përfundimisht njerëzve që drejtojnë sektorit e sistemit, pa pasur mundësi kontrolli e shkarkimi, që në njëfarë forme do të mund më pas të rregullojnë sjelljet e tyre në sistem. Jo pa humor të ditës është edhe kjo se kriminelët nuk janë edhe aq fajtorë, kur kihet parasysh se shoqëria është aq e varfër politikisht që të mos mund t’i gjejë mënyra për t’i ndëshkuar apo përjashtuar nga sistemi të gjithë individët që korruptojnë apo e kriminalizojnë shtetin. Kosova si shtet i kapur nga të korruptuar dhe të kriminalët, padyshim se ka arritur tek gjendja ku është e dukshme përbuzja ndaj institucioneve relevante. Madje edhe sjellja e pushtetit ndaj ngjarjeve të rëndësishme dhe të disa marrëveshjeve kanë nxjerr në shesh mos seriozitet dhe mos përkushtim e plotë ndaj vendit.
Një pushtet pa opozitë është pushtet totalitar
Ky pushtet mbi të gjitha është i interesuar më shumë për vetveten se sa për vlerat e një politike institucionale e shtetërore. Madje edhe duke përjashtuar opozitën nga shqetësimet e saja të drejta, ata (pozita) po privojnë aktet e demokracisë në vend. Një pushtet pa opozitë është pushtet totalitar. Opozita nuk dëshiron që marrëveshjet e fundit t’i kalojë nëpër një legjitimitet të kontestuar dhe që më pas mund të jenë të dhimbshme për vendin e të ardhmen e tij. Marrëveshjet me Serbinë kanë kapërcyer kompetencat e brendshme të Kosovës, sepse kontraktimi i marrëveshjeve me serbët lokalë duhet të jetë marrëveshje e brendshme dhe jo me një shtet tjetër që gjithsesi synon të komprometojë rregullimin e brendshëm dhe mosfunksionalizimin e shtetit të Kosovës. Meqenëse marrëveshja për “Zajednicën” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Gjykata Kushtetuese e vendit duhet ta hedhë poshtë këtë marrëveshje sepse kapërcen ligjshmërinë e çështjeve që janë përcaktuar si një rregullim i brendshëm shtetëror dhe jo më si një rregullim tjetër i çështjeve të jashtme. Koalicioni qeverisës pa ndonjë koncept a vizion vazhdon të thellojë krizën politike në vend se ta lehtësojë atë, marrëveshjet e fundit në Bruksel, të qeverisë edhe këtë herë demonstruan mënyrën e vet të njëanshme dhe më të pakonsideratë, luajtën rolin e aktit të kryer ndaj parlamentit, si institucioni më i lartë dhe më vendimmarrës në vend. Opozita ka të drejtën e vet të bëjë përpjekjet maksimale që ta pengojë pozitën të shndërrohet në një pushtet totalitar, në të cilin pushtet bie demokracia. E kemi parë se si është përjashtuar opozita nga punimet e Parlamentit në sallën alternative të Kuvendit, ku u miratuan ligje në mënyrë unanime, një taktikë e njohur si në regjimin e Milosheviqit (për vetëm 2 orë deputetët e Parlamentit miratonin 19 ligje!) që e shfrytëzonte mungesën e opozitës. Çfarë përfiton Kosova nga politika e përngjasimit të një politike totalitare, që më unanimitet miraton ligje, madje e vendosur t’ia pamundësoi pjesëmarrjen opozitës në punimet e përbashkëta, pavarësisht se opozita në të drejtën e saj dëshiron të pengoj punimet e kuvendit, pa i ngrirë dy marrëveshjet e fundit qe në theks të veçantë e dëmtojnë vendin e sidomos marrëveshja e “Zajednicës” me Serbinë. Do të humbim shumë në qoftë se tregohemi të paqartë me vetveten. E tërë politika e Kosovës duhet të jetë në funksion të një uniteti ndërpartiak, sa i përket marrëveshjeve të rëndësishme për vendin, nuk i bëhet mirë vendit nëse pozita s’postohet në diferencim të skajshëm të opozitës. Një pozitë nuk mund të jetë kurrë e mirë në një pushtet të dhënë, në çoftë se nuk e ndjenë edhe shqetësimin real të opozitës sepse mjaftueshmëria në pushtet ka të ngjarë më shumë të krijojë një lloj komoditet të rrejshëm institucional, i cili më shumë mund të jetë i rrezikshëm se sa i dobishëm për vendin dhe të ardhmen e tij.