Protesta është formë e reagimit publik, kryesisht për të shprehur ndonjë pakënaqësi të caktuar. Është e drejtë e çdokujt që paqësisht të bëjë një gjë të tillë. Energjia e shpenzuar në oborrin e Rektoratit nga një grup studentësh, s’ka dilemë se mund të ketë arsye të qëndrueshme.
Kërkesa kryesore e protestuesve manifestohet me thirrjen për dorëheqje të rektorit Ibrahim Gashi, i cili dyshohet se paska botuar punime shkencore jo kualitative, jo adekuate për profesionin e tij dhe në revista jo prestigjioze, madje sipas disave, edhe inekzistente.
Realisht, (mos) puna shkencore e ligjëruesve në këtë universitet është mjaft e përfolur prej vitesh. Pasiviteti studimor i stafit akademik nuk ka filluar me rektorin Gashi. Fakti që një pjesë e madhe e profesorëve kanë edhe një punë të dytë, domosdo përcakton edhe cilësinë e përgatitjes profesionale të tyre. Kur dikush punon edhe në një institucion shtetëror a privat, ku të gjejë kohën që të merret me studentët? Prandaj, ta zëmë edhe kontrollimi i testeve zgjat me javë e shpesh ankimohet për vlerësime shkarazi.
Çështja është nëse opinioni publik në përgjithësi e studentët në veçanti pse duhet ta kërkojnë llogarinë nga Gashi? Sipas meje, problemi nuk qëndron tek personaliteti i rektorit, por tek mendësia që e solli atë si rektor aty. Pra, politika. Universiteti i Prishtinës është politizuar si kurrë më parë. Madje edhe pozita e rektorit duket se qenka pjesë e pazarllëqeve ndërpartiake.
Për mua, rektori duhet të shpjegojë se pse në UP ka profesorë jo fort të përgatitur, pse ata nuk prodhojnë dituri, pse pranohen kaq shumë studentë kur nuk ka kushte, pse ka lëndë që nuk kanë literaturë, pse nuk ka ngrohje çdoherë në objektet e fakulteteve gjatë dimrit, pse gjeneratat që kanë pasur index-a nuk kanë mundur të përfitojnë nga digjitalizimi i administratës, e shumë çështje tjera. Pra, në radhë të parë mua më intereson rektori si menaxher i UP-së, e pastaj si shkencëtar. Andaj edhe them që kërkimi i llogarisë duhet të jetë i bazuar në prioritete. E nëse rektori Gashi ka bërëshkelje serioze të statutit të UP-së duhet të japë llogari.
Një institucion që për dekada ishte bartës i proceseve historike, nuk bën të ballafaqohet me rrezikun për të mbetur histori. Duhet ndalur degradimi i mëtejshëm i kësaj vatre të dijes.
Përgjegjësia për gjendjen i takon udhëheqjes politike. UP-ja nuk merr frymë nga presionet politike. Madje edhe organizatat studentore mendohet se janë zgjatime të partive.
Kjo çështje nuk duhet të përmbyllet me rektorin aktual. Hesapet nuk duhet qëruar me rektorin Gashi, apo së paku të mjaftohet me të. Duhet kundërshtuar ajo klasë politike, që me qasjen e vet, UP-në e ka shndërruar në një çerdhe militantësh e mistrecësh politikë. Nuk duhet bërë kurban Ibrahim Gashin për krejt paudhësitë që po ndodhin brenda. Natyrisht se duhet kërkuar edhe llogaria për kontributin e tij në shkencë, ama para së gjithash duhet kërkuar shpjegim për ‘mbarëvajtjen’ në këtë institucion.
Protesta ka filluar në oborrin e rektoratit, ama aty nuk ndryshohet kjo klasë politike. Rektorati në Kosovë nuk e përcakton atë ‘elitë’, përkundrazi ata luajnë me rektoratin. Protesta mund të jetë e qëlluar, por sa i përket lokacionit, nuk do të isha i sigurtë. Peshkut i vie era nga koka. Nuk duhet kapur për bishti. A është Ibrahim Gashi, koka? Nuk besoj.