11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kushtetuesja: Ndaj Drita Millakut pati diskriminim gjinor në zëvendësimin si deputete

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se ndaj dy ish-kandidateve për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Tinka Kurti dhe Drita Millakut, në zgjedhjet e shkuara, kishte pasur diskriminim gjinor në momentin kur ato nuk ishin lejuar të bëheshin deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin bërë ministra.

Atë kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme kishin ndjekur parimin e gjinisë duke mos lejuar që deputetet të hyjnë në vend të deputetëve meshkuj edhe pse ishin të parat në listën e pritjes.

Në zgjedhjet e fundit, deputetet në radhët e Vetëvendosjes kishin siguruar ulëset përtej shkallës së caktuar obligative prej 30 për qind. Pasi VV-ja kishte formuar Qeverinë Kurti I disa deputetë u bënë ministra. Atë kohë autoritetet nuk lejuan që Kurti e Millaku të bëheshin deputete duke thënë se një deputet mashkull duhet të zëvendësohet me një të tillë dhe jo me një të gjinisë tjetër.

Dy kandidatet ishin ankuar në Kushtetuese për rastin.

Në vendimin, e publikuar të premten, është konstatuar se KQZ-ja, PZAP-ja dhe Supremja i kishin bërë zëvendësimet duke mos marrë parasysh rezultatet e kandidatëve për deputetë pas plotësimit të kuotës ligjore për përfaqësim prej 30 për qind të gjinisë femërore.

Kushtetuesja ka konstatuar se autoritetet atë kohë nuk e kishin interpretuar saktë dhe kushtetues Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Gjykata konstatoi se, parashtruesja Tinka Kurti është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% përmes rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia e zëvendësimit të deputetëve, e njëjta edhe pse kishte më shumë vota se kandidatët burra për deputetë Fitim Haziri dhe Eman Rrahmani, nuk iu mundësua që të bëhej deputete. Më tutje, Gjykata gjithashtu konstatoi se, parashtruesja Drita Millaku është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% nëpërmjet rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia për zëvendësimet e ardhshme të deputeteve, përkatësisht kur dha dorëheqje deputeti Shpejtim Bulliqi, në vend të tij, në bazë të përcaktimit për zëvendësim në kuadër të gjinisë së njëjtë, më 18 dhjetor 2020, mandat deputeti mori kandidati Taulant Kryeziu me 6968 vota”, thuhet në njoftim.

Ky aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues.

Më Shumë

Lajmet e Fundit