8.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Latifi premton angazhim për ruajtjen e vlerave kombëtare

Smajl Latifi me shoqatat e dala nga UÇKNë kuadër të takimeve me grupe të ndryshme shoqërore, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, shtroi drekë për familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës të UÇK-së.

Fillimisht debatin e hapi shefi i Shtabit Zgjedhor në Degën e AAK-së Musa Cena, i cili lavdëroi angazhimet dhe përkushtimet e Smajl Latifit edhe si luftëtar i UÇK-së, edhe si kryetar i komunës. Sipas tij, askush deri më tani nuk ka bërë më shumë se Latifi për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të UÇK-së’’.

Ndërsa, kryetari i Degës së OVL të UÇK-së në Rahovec,  Vajdin Berisha ka shtuar se takimet e këtilla janë mundësi e mirë për të vlerësuar në përputhje me kontributet e secilit prej kandidatëve, ndërsa mbështetja për vlerat e luftës të UÇK-së duhet të jetë e vazhdueshme, pavarësisht se kush do të jetë kryetar i komunës, duke falënderuar kryetarin aktual të komunës Smajl Latifi për ndihmën e dhënë për këto shoqata.

Kurse veterani i luftës dhe vëllai i dy dëshmorëve  Fahredin Hajda, shtoi se askush nuk ka mundur të bëjë më shumë për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës. Ai është kujdesur që varrezat e dëshmorëve, përmendoret dhe vend rëniet e tyre të jenë të rregulluara si asnjëherë më parë, prandaj besimi për Smajl Latifin duhet të jetë i palëkundur. Ai i ftoi bashkëluftëtarët e tij që të votojnë më 3 nëntor dhe votën e tyre ta japin për Smajl Latifin dhe AAK-në.

Deputeti dhe ish komandanti i UÇK-së në ZOD Daut Haradinaj, u shpreh se askush më mirë se Smajl Latifi nuk e kupton këtë dhembje e këtë krenari, pasi që vet Smajli ishte bashkëluftëtar i bijve tuaj.

Ai tha se jam i bindur se Smajli ka për t’u kujdesur gjithmonë për familjarët e dëshmorëve, invalidët si dhe veteranët e UÇK-së. Prandaj, aspak nuk do të gaboni nëse i jepni edhe një herë mbështetjen tuaj për të qenë kryetar i komunës së Rahovecit në një mandat të plotë.

Kandidati për kryetar të komunës së Rahovecit Smajl Latifi, tha se gjatë mandatit tonë qeverisës kjo kategori e rëndësishme është trajtuar me shumë kujdes dhe respekt. Ne iu kemi kushtuar vëmendjen e merituar këtyre vlerave, sepse gjaku i dëshmorëve, sakrifica e invalidëve dhe përkushtimi i veteranëve të luftës, janë vlera të pamohueshme dhe që na udhëheqin në çdo veprim që bëjmë. Kërkesat e këtyre kategorive janë trajtuar me kujdes dhe shumë prej tyre janë realizuar. Kohëve të fundit kemi nisur të ndërtojmë edhe një shtëpi për këto kategori, pasi që veprimtaria e tyre është afatgjatë, sepse vlerat e luftës atakohen shpesh dhe në çdo kohë. Mbrojtja e këtyre vlerave është obligimi ynë dhe amaneti që na e lanë dëshmorët. Ndër të tjera Latifi tha se kompania e vreshtarisë dhe verëtarisë “StoneCastle” është e gatshme të dhurojë një parcelë toke për ndërtimin e një  godine për strehim të familjarëve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve pa strehë. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit