Shkruan: Philip Gordon
Nëse Britania me të vërtetë vendos të largohet, bankat e mëdha dhe investitorët e mëdhenj do të largohen.
Pjesa e mbetur e BE-së është një treg i përbërë prej më shumë se 400 milionë njerëzish dhe kësisoj BE-ja është e interesuar që t’i zmbrapsë qytetarët e vendeve të tjera nga përpjekjet për shkëputje, andaj zyrtarët e BE-së veçse e kanë bërë të qartë -që nuk do të ketë interesa të veçanta për Britaninë e Madhe.
Tani kur realiteti i ‘Brexit’-it ka filluar të vërehet – me pasigurinë e tregjeve që po rritet, Skocinë që po mëton të pavarësohet nga Britania e Madhe, bankat që po i bartin vendet e punës jashtë Londrës dhe premtimet e mëdha për imigrimin dhe kujdesin shëndetësor po tërhiqen – mbështetësit e vazhdimit të anëtarësisë së Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian kanë filluar t’i shqyrtojnë mundësitë për rishikimin e vendimit. Disa mund të shpresojnë që kryeministri i ardhshëm, i ballafaquar me kasoin e brendshëm dhe përçarjet e mëdha partiake, do të vendosë që nuk do të ketë kuptim tërheqja. Të tjerët, të cilët thonë që referendumi ka qenë më shumë si “këshillues” shpresojnë që parlamenti britanik do ta votojë zbatimin e tij, ose thjesht do të vendosë për të mos vepruar. Të tjerët i kanë kthyer sytë nga Skocia, ku shumica ka votuar për të qëndruar pjesë e BE-së, me shpresën që ky vend nuk do ta jep miratimin për ‘Brexit’, gjë për të cilën ministri i parë skocez, Nicola Sturgeon, ka thënë që është i domosdoshëm për çdo vendim të përmasave të tilla të Britanisë së Madhe. Tashmë afro 4 milionë njerëz e kanë nënshkruar një peticion ‘online’ ku bëjnë thirrje për një referendum të dytë, duke pretenduar që pjesëmarrja në votime ka qenë e kufizuar dhe rezultati ka qenë i ngushtë. Të gjitha këto ide janë të kuptueshme kur merren parasysh premtimet e rreme të kampanjës për “Largim” dhe raportimet për mashtrimin e disa votuesve. Pa marrë parasysh a ju pëlqen mbështetësve të anëtarësisë së Britanisë në BE apo jo, më shumë se 17 milionë qytetarë britanikë kanë votuar për largim në një referendum, rezultatet e të cilit nuk do të ishin përfolur fare, sikur të kishte qenë në të mirë të tyre. Shumica kanë votuar ashtu, sepse kanë besuar që largimi nga BE-ja do të ndikonte në kursimin e parave, limitimin e imigrimit dhe do t’ia jepte Britanisë së Madhe sovranitetin në lidhje me vendimet ekonomike. Secila përpjekje për ta bllokuar këtë proces – brenda disa javëve apo muajve të vendimit demokratik – jo vetëm që do të dështonte, mirëpo do të shërbente si recetë për zemërimin e një grupi të madh të popullsisë britanike, të cilët do të ndiheshin sikur mendimet e tyre nuk janë përfillur fare.
Negociatat për nenin 50 Mirëpo, asnjëra prej këtyre nuk do të thotë që ‘Brexit’-i duhet të merret si i mirëqenë, ose që ai mund të shmanget vetëm nëse injorohet demokracia. Në skenarin më të mirë, procesi i tërheqjes do të jetë i gjatë. Partia Konservative fillimisht duhet ta zgjedhë një lider të ri, gjë kjo që nuk do të ndodhë deri në vjeshtë. Britania do të detyrohet t’i fillojë negociatat për largim duke aktivizuar Nenin 50 të Traktatit të Bashkimit Evropian, që kërkon një kohë prej dy vjetësh për shqyrtimin e detajeve teknike të tërheqjes. Vetëm pasi që të bëhet një gjë e tillë Britania do të mund të ulet me BE-në për të diskutuar se çfarë marrëdhënie të re do të kenë ato me njëra-tjetrën, një tjetër proces që kërkon vite të tëra. Në kohën kur këto procedura do të përfundoheshin – kur edhe do të shkaktohej një rënie ekonomike si pasojë e ‘Brexit’-it dhe do të kishim zgjedhjen e liderëve të rinj në Francë, Gjermani dhe SHBA, do të fillonin përgatitjet për referendumin e pavarësimit në Skoci dhe kur do të prezantohej marrëveshja e re e Britanisë me BE-në – do të ishte interesant të shikohej nëse prapë do t’i kishim 52 për qind të britanikëve që do të ishin të interesuar për të dalë nga BE-ja. Në një rast të tillë, referendumi i ri, ose madje edhe zgjedhjet e përgjithshme, do të kishin opsioni i vetëm legjitim. Problemi më i madh i referendumit të 23 qershorit nuk kanë qenë rregullat e tij, e as premtimet e rreme të kampanjës për largim. Problemi ka qenë që ai ofronte zgjedhje në mes të një alternative të qartë – qëndrimi në BE në bazë të rregullave ekzistuese dhe marrëveshjes specifike të cilën David Cameron e kishte negociuar në shkurt të vitit 2016 – dhe një alternative të paspecifikuar dhe të paqartë. Kjo nuk ka qenë një luftë e drejtë: Shkencëtarët politikë e dinë që gjithmonë në zgjedhje, ku garon një person specifik dhe një “Zotëri ose Zonja X”, ky i/e fundit gjithmonë del fitues/e. Vetëm pasi që të dyja palët detyrohen të dalin me propozime të qarta dhe konkrete dhe detyrohen t’i mbështesin propozimet e tyre me fakte, publiku i gjerë mund të vendosë se për kë duhet votuar.
Qasje në tregun e përbashkët Pikërisht kjo duhet të ndodhë në çështjen e ‘Brexit’-it dhe arsyeja pse qeveria e re e Britanisë së Madhe ka nevojë për kohën e nevojshme që lirshëm ta negociojë marrëveshjen më të mirë të mundur me BE-në. Në një rast të tillë, publiku britanik do ta ketë rastin që t’i sheh kushtet e ‘Brexit’-it dhe kostot dhe përfitimet reale. Në një moment të tillë do të bëhej e qartë që opsioni pro-tortës ose pro ngrënies së tortës nuk është në tavolinë. Pjesa e mbetur e BE-së është një treg i përbërë prej më shumë se 400 milionë njerëzish dhe kësisoj BE-ja është e interesuar që t’i zmbraps qytetarët e vendeve të tjera nga përpjekjet për shkëputje, andaj zyrtarët e BE-së veçse e kanë bërë të qartë që nuk do të ketë interesa të veçanta për Britaninë e Madhe, interesa këta që do të mund t’i joshnin edhe liderët e vendeve tjera për t’i ndjekur hapat e Britanisë. Andaj do të bëhet e qartë që në këmbim të “qasjes në tregun e përbashkët”, Britania do të detyrohet të paguajë shuma të mëdha parash për buxhetin e BE-së, duhet ta lejojë lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore dhe duhet t’i pranojë rregullat e BEsë – të gjitha këto pa pasur ulëse në tavolinën ku merren vendimet. Gjithashtu do të qartësohej që nëse Britania më të vërtetë vendos të largohet, bankat e mëdha dhe investitorët e mëdhenj do të largohen, siç do të veprojë edhe Skocia, që do të kërkonte referendumin. Në atë moment, britanikët do të vazhdonin ta kishin të drejtën për të vendosur për t’u larguar nga BE-ja. Atyre gjithashtu duhet t’u jepet e drejta për ta shprehur mendimin për të vendosur në mes të marrëveshjes së re, vazhdimi i anëtarësisë në bazë të marrëveshjeve të mëhershme, ose lënies pa marrëveshje fare. Kjo do të ishte një zgjedhje e ndershme dhe demokratike në mes dy alternativave reale, për dallim nga fantazia që ka qenë në tavolinë më 23 qershor.
(Philip Gordon është diplomat amerikan dhe ekspert i politikës së jashtme. Ai më herët ka qenë asistent i sektarit të shtetit për Evropë dhe Euroazi)