11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Mesazhi i protestës

Milaim Shefkiu

Protesta e së shtunës e organizuar nga partitë opozitare (“Vetëvendosje”, AAK dhe “Nisma”) mund të konsiderohet si retrovizori më i mirë për ta parë vetveten. Në këtë pasqyrë duhet ta shohë surratin secili qytetar i Kosovës, nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, liderët e opozitës, deputetët, policia, analistët, të gjithë.

Jo që protesta e së shtunës ishte kandari i demokracisë, ku u peshua kultura jonë “evropiane”, por si e tillë nxori shumë paragjykime, defekte dhe mbi të gjitha nxori prej organizmit “vrerin e cinizmin” si shoqëri.

Ndryshe nga protesta e kaluar që ishte vandale e që rezultoi me shumë të lënduar, sheshe të demoluara, polici të dezorientuar, kjo e fundit ishte paqësore, ndërsa nuk e përmbushi “profecinë” për indicie violente.

Por, reagimet e mëpastajshme nuk ishin demokratike, as nga shoqëria civile e as nga lidershipi qeveritar, madje as nga Policia e Kosovës. Derisa kjo e fundit kaloi pa një therë në këmbë, deklarata e tyre për numrin e protestuesve, të krijojnë përshtypjen, se edhe ata janë “bytha e dreqit” që ngjallin provokim.

Apriori dihet se ka pasur më shumë se 2500 protestues sa tha Policia, por nuk kanë qenë as 20 mijë sa tha “Vetëvendosja”. A kanë qenë 5 mijë apo 10 mijë, kjo është më pak e rëndësishme, sidomos për Policinë, e cila kësaj here shpëtoi pa “tulla kokës”. E rëndësishmja është se kaloi qetë.

Por, pse protesta është leksion?

E para, nga kjo protestë duhet marrë mësim opozita, ajo që organizoi protestën e që paralajmëroi protesta të reja.

Me kaq pak protestues nuk “shkapet shteti”.

Edhe nëse, sipas “Vetëvendosjes”, kanë qenë 20 mijë protestues, kjo nënkupton se tri partitë opozitare kanë dështuar të organizojnë protesta. “Vetëvendosje”, AAK dhe “Nisma” bashkërisht i kanë më shumë se 200 mijë votues, ndërsa për shkapjen e shtetit nuk protestuan as 10 për qind e tyre. Kjo jep një sinjal të keq, se liderët opozitarë s’kanë fuqi të nxjerrin as çerekun e elektoratit në shesh. Këtu ka diçka që nuk shkon.
E po ashtu, motoja e protestës të së shtunës ishte një konglomerat kërkesash (dorëheqja e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dorëheqja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, shkarkimi i menaxhmentit të RTK-së dhe i Bordit të ZRRE-së), që dallojnë njëra me tjetrën. Këto kërkesa nuk lidhen me një nyje, prandaj kishte më pak protestues se sa ajo për dorëheqjen e ministrit serb, Jabllaniviq.

Tani a ka nevojë të protestohet, natyrisht se po.

Madje nga katër kërkesat e protestës, kjo për shtrenjtimin e energjisë elektrike është dashur t’i nxjerrë në shesh 200 mijë protestues, sepse loja që po bëhet me rrymën është hajni ordinere kriminale.

Ndërsa sa i përket RTK-së, ky medium publik i ngjason më së miri “Kosovës në miniaturë”. Aty gërshetojnë refleksione politike nga të gjitha anët, ndërsa përveç “Vetëvendosjes”, e cila mund të mos ketë ndikim, në RTK kanë influencuar e besoj që influencojnë dy taborët, pozitë e opozitë. Pavarësisht kësaj, protesta duhet të kuptohet si mesazh për depolitizimin e këtij mediumi.

Në anën tjetër, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, deklaroi se mosdalja në protesta dëshmoi besueshmërinë në institucionet e vendit. Kjo deklaratë nuk konsiderohet ndryshe, vetëm si cinizëm që i irriton më shumë qytetarët. Ka pasur qytetarë që nuk i kanë pasur as pesë euro në xhep për të ardhur nga Dukagjini ose Karadaku në Prishtinë, për të protestuar kundër shtrenjtimit të rrymës. Sjelljet e tilla nuk i kontribuojnë protestave paqësore, po përkundrazi…
Ndërsa sintagma “kapja e shtetit” është bërë një klishe që po tingëllon shumë keq në zhargon. Kapja.. shkapja…

Shteti nuk “kapet”, por ka njerëz të fuqishëm “bajraktarë” që kanë ndikim në këtë shtet. E ndikimi nuk është veç në Qeveri, por nis nga mëhalla, katundi, qyteti dhe mbërrin deri në ekzekutiv. Kjo lidhje shkon zinxhir, prandaj duhet të reflektojnë të gjithë, opozita nëpër komunat që i qeverisë dhe Qeveria nëpër dikasteret e saj.

Nga kjo protestë duhet të marrin leksion edhe qytetarët, se si duhet të protestojnë në mënyrë demokratike, opozita për të qenë më e artikuluar në vetvete dhe Qeveria për të amortizuar gjendjen dhe jo për ta ndezur situatën. Nëse veprohet ndryshe, këtij shteti të brishtë, do t’i lëkundet themeli./zeri/

Më Shumë

Specialja ia ndërpret paraburgimin Isni Kilajt, obligohet t’i japë 30 mijë euro dorëzani

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që t’i ndërpritet paraburgimi Isni Kilajt, ndonëse sipas tyre ende ekziston dyshimi...

Ndahen afro 700 mijë euro për ndërtimin e rrugës që shpie tek “Ujëvara e Mirushës”

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka pritur në takim kryetarin e Malishevës, Ekrem Kastrati. Durmishi dhe Kastrati, nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit me Komunën e Malishevës...

Lajmet e Fundit