18.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Në shkollat e Prizrenit ndryshon sistemi i ngrohjes

Qeveria komunale e Prizrenit këtë vit ka marrë vendim që të ndërmarrë masa për furnizimin në kohë me lëndë djegëse të të gjitha shkollave fillore e të mesme, ndërkohë që do të analizojë edhe ndryshimet që duhet bërë në sistemet e ngrohjes, shkaku i shpenzimeve të larta, në disa objekte arsimore.

Zyrtarët përgjegjës për arsimin prizrenas kanë konfirmuar se janë të detyruar që të veprojnë në dy drejtimet, në mënyrë që të sigurohen me kohë lëndët djegëse, por edhe të racionalizohen shpenzimet në disa shkolla, që paguajnë fatura të larta për nxemje.

“Me decentralizimin e financave, tani secila shkollë paguan për vete. Mirëpo furnizimi me dru gjithnjë po ka disa probleme, ngase dy-tre herë po duhet me u shpallë tenderi përkatës”, ka thënë drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj, duke arsyetuar propozimin e hershëm të DKA-së për lëndët djegëse që do të përdoren për ngrohje gjatë vitit shkollor 2015-2016. Sipas tij, do të shqyrtohen edhe rastet se në cilat shkolla janë të nevojshme ndryshimet në sistemin e ngrohjes për të kursyer mjetet financiare.

“Për shembull shkolla në fshatin Randobravë ka buxhet prej 7 mijë eurosh. Mirëpo shpenzon 17 mijë euro për ngrohje, ngase nxemja është me rrymë”, ka deklaruar Çoçaj.

Ai ka marrë mbështetjen e kryetarit të komunës, Ramadan Muja që DKA-ja të punoj me ekonomistët për të parë dallimet në financa që mund të sjellin ndryshimet e sistemeve të ngrohjes, në shkollat e caktuara. Në të njëjtën kohë ka sqaruar se sivjet për 47 institucione arsimore fillore dhe 4 të mesme do të blihen 3 mijë e 515 metra kub dru dhe 200 tonë pelet, derisa 1 mijë e 800 tonë thëngjill do të shpërndahen në 28 institucione arsimore fillore dhe 2 të mesme.

“Shpallja e tenderit me kohë na mundëson që shkollat të furnizohen me lëndë djegëse sa është koha e mirë dhe ato të shpërndahen me kohë në të gjitha shkollat”, ka thënë Muja.

Sipas planeve të qeverisë lokale, me këtë tender do të furnizohen me dru e pelet të gjitha shkollat që kanë ngrohjen qendrore me këto lëndë djegëse, si dhe ato shkolla të vendbanimeve rurale që ende i kanë stufat klasike, ndërkohë që me thëngjill do të furnizohen shkollat që i kanë kaldajat me këtë lëndë djegëse, sikurse edhe shkollat të cilat do t’i ndërrojnë kaldajat nga ngrohja me naftë.

Vitet e kaluara kanë qenë të shpeshta reagimet e opozitës në lidhje me ngrohjen e shkollave. Dega e LDK-së në Prizren në disa raste pat reaguar në lidhje me cilësinë e dobët të lëndëve djegëse por edhe mungesën e tyre në disa shkolla. Madje ky subjekt politik pat akuzuar DKA-në se po detyron “nxënësit e disa shkollave që të durojnë të ftohtit gjatë orëve mësimore”. Sipas LDK-së, Komuna ka dështuar në disa raste që t’i kryej me kohë përgatitjet për sezonin dimëror.

Por drejtori i DKA-së, Nexhat Çoçaj ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë komunale dëshmon përkushtimin e saj për sigurimin e një ambienti komod për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave të komunës së Prizrenit./Koha Ditore/

Më Shumë

Dita Ndërkombëtare e Muzeve: QRTK në Prizren dhe OJQ Educo lidhin memorandum bashkëpunimi

Me rastin e shënimit të 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe OJQ Educo kanë nënshkruar një...

Ylli e barazon sërish serinë – Kampioni merret vesh në Minatori

Ylli ka arritur të korri fitore ndaj Trepçës në ndeshjen e katërt finale që po zhvillohet në palestrën “13 Qershori”. Kjo fitore i barazon ata...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit