Fshati Grazhdanik thuhet se është fshati më i bukur në gjithë rrethin e Prizrenit. Gjatë kohës osmane aty kishin bërë ofiqet e tyre bejlerët dhe fusha ishte pjellore, për të mbajtur shumë bagëti. Aty për bagëti bëheshim shumë grazhde, prandaj e ka marrë edhe emrin Grazhdanik. Fshati Grazhdanik shquhet për fushat e gjera dhe të bereqetshme, por njëkohësisht fshati ruan shumë histori, pasi është një prej vendbanimeve të lashta të kësaj zone. Prandaj, në këtë fshat dikur kishin krijuar ofiqet e tyre bejlerët e Prizrenit. Për shkak të kushteve shumë të mira, ujërave të bollshme, kullosave të shumta, pastaj për shkak të fushave pjellore, kjo tokë ndikoi edhe në ardhjen e të tjerëve.
Tokë bukanike Banorët kanë edhe versionin e tyre për historinë e fshatit. Sipas tyre, para disa shekujsh, thuhet se aty erdhi e u ngul me familje në këtë fshat Nue Doda nga Mirëdita. “Prandaj, që nga ajo kohë, e edhe tani ky fshat mbeti me shumicë të banorëve të besimit katolik”, tregon kryetari i këtij fshati, Asllan Fanaj. Se kjo tokë është tokë e bereqetshme, tregon edhe Fanaj. “Kjo tokë bukanike, edhe neve si familje na ka sjellë të jetojmë këtu nga Vërmica”, thotë Fanaj. Toka është e bereqetshme këtu, edhe për faktin se ka tre lumenj me ujë të pastër si kristali, dhe fushat pjellore që e bëjnë jetën më të lehtë për banorët. Por, përkundër kësaj, rrethanat e krijuara pas luftës së fundit kanë bërë që shumë prej familjeve të fshatit ta braktisin punën e fushës dhe të nisen në kërkim të një pune dhe jete më të mirë jashtë fshatit. Llogaritet se fshati ka 57 familje, por një pjesë e tyre tashmë kanë shkuar jashtë vendit. “Këtu kanë ndërtuar shtëpi të bukura, por janë 60 për qind e këtyre shtëpive që tashmë rrinë nën dry”, tregon kryetari Fanaj, duke shtuar se kjo është e dhembshme. “Sigurisht jeta jashtë Kosovës, ata i ka bërë më të pasur. Edhe pse vijnë dhe investojnë në fshat, fshati nuk e ka gjallërinë e dikurshme”, thotë Fanaj.
Vendbanimi i hershëm Nga ana tjetër, faktet flasin se ky ishte një vendbanim qysh në periudhën romake. Në fshat ndodhet edhe kisha e Shën Florit dhe Shën Laurit. Lidhur me këtë, Frrok Kristaj pohon se në fshat gjenden gjurmë të krishterimit të hershëm. “Sipas burimeve kishtare, në kohën e perandorit romak Hadrianit, të Dioklecianit e shumë të tjerëve, për shkak të përhapjes së krishterimit në trojet iliro-dardane, u persekutuan mizorisht Prokuli dhe Maksimi. Këta ishin mësuesit e martirëve dardanë të krishterimit – Shën Florit dhe Shën Laurit, që të dy nga Ulpiana. Këta martirë dardanë njiheshin si gurskalitës e gurgdhendës, skulptorë të njohur të kohës, festa e të cilëve kremtohet më 18 gusht në Grazhdanik të Prizrenit, e të cilët për shkak të dashurisë dhe të shërbimit të tyre ndaj krishterimit pësuan fatin e kobshëm të mësuesve të tyre (të Maksimit e Prokulit)”, thotë Kristaj.
Aty ku lindi Anton Pashku Edhe pse shumëçka ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, fshati ende ruan idilin e natyrës së bukur dhe banorëve të dhënë pas kësaj natyre. Edi Morina, edhe pse një djalosh i ri, ka vendosur t’i përkushtohet jetës së fshatit dhe atje është duke mbajtur disa krerë bagëti. Ai tregon se nëse punon, edhe në fshat mund të jetohet mirë. Sipas tij, pos që është tokë bujqësore, Grazhdaniku i plotë- son shumë kushte për të rritur bagëti. Por, kryetari Asllan Fanaj shprehet se ky nuk është vetëm një fshat i fermerëve, por edhe një fshat që nxori shumë intelektualë dhe njerëz të penës. Kështu thuhet se Drane Berisha nga Grazhdaniku ishte ndër mësueset e para të Prizrenit. “Pastaj është një fakt tjetër se këtu ka lindur njeriu i madh i letrave shqipe, Anton Pashku”, thotë me mburrje Fanaj. Ai tregon se Anton Pashku është i lindur në Grazhdanik dhe këtu e ka kaluar fëmijërinë, e pastaj ka jetuar në fshatin Karashëngjergj ku edhe është i varrosur. Historiani Shukri Quni tregon se në këtë fshat dikur moti thuhet se bejlerët kanë pasur shumë ofiqe të tyre. “Bile, sipas disa shënimeve thuhet se në këtë grykë në mes Grazhdanikut dhe Nashecit edhe kryeministri i parë i LSHP-se, Ymer Prizreni të këtë pasur një pasuri të tijën, ku thuhet se këtu ka qëndruar për të pasur ajër të pastër dhe ujë të kulluar”, shprehet ai. Por, edhe ky fshat i bukur ka mungesat e veta. Kështu, nxënësit e këtij fshati mësimi e vijojnë në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Nashec.
(Kosova Sot)