3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Një kalë dhe 999 gomarë!

Rezart PalluqiRezart Palluqi

A nuk më thua zotëri? Përse rrisni pothuajse vetëm gomarë dhe kaq pak kuaj? Në livadh shoh vetëm katër kuaj?

-Gomerët preferohen mjaft në këtë vend. I sheh ata kuajt ti?- stallieri drejtoi gishtin leshator drejt kuajve të bardhë, të mbuluar me qilime të kuq.

-Ata kuajt atje , i kanë ngarë personalitete të shumtë politikë dhe kulturorë. Kur kuajt mërziten dhe i hedhin ata papritur në tokë, ata i hipin gomarëve. E sheh atë burrin atje? Zavalli! E fluturoi kali në ajër. U përpoq dy herë ta zbuste kafshën e gjorë, por kur e kuptoi se ajo nuk e pranonte më, bleu një gomar. Qysh prej asaj dite, ai qarkullon pa pikë turpi me gomar, në mes të bulevardit të kryeqytetit. Dhe ai nuk është i vetmi. Të gjithë ata që ose kërcënohen ta braktisin kalin, ose refuzohen prej kafshës, blejnë një gomar.

– Më duket se po më tall? Eja tani, mos e dridh e spërdridh. Më thuaj të vërtetën! Përse gjithë këto gomarë dhe vetëm katër kuaj? Mos ndoshta i shet në Afrikë? Apo i ther ata fshehurazi dhe e shet mishin e tyre si mish viçi në treg?

Stallieri qeshi shfrenuar. Dy fije kashtë që kishin ngecur në flokët e hirtë, ranë përdhe nga kokëshkundja e tij.

Papritur, ai ndaloi së qeshuri.Fytyra iu ravijëzua prej një serioziteti komik. Sytë po i mbante të ngulur drejt portës së hyrjes së stallës.

-Kujdes burrë, se me zor ta hekurosa kostumin. Ruaji edhe këpucët Esprit se mos i bësh me baltë- dëgjova të thoshte një grua me zë të acaruar.

E pabesueshme.  Një goxha burrë, i derdhur në kostum të zi, me kollare të kuqe me viza të zeza të pjerrëta, rrinte si nuse e zemëruar mbi gomar. Gomari u shfrye, ashtu siç e kanë gomerët. Sëbashku me gomarin u drodh edhe burri. Këmbët e gjata, të mbathura me këpucë lustrafine, lëviznin të çakorduara. Gruaja rrinte e hipur mbi një pelë lëkurëkuqe.

Burri i xhindosur urdhëroi gomarin me fjalë banale të ndalonte përpara kalit të bardhë me krifë të zbukuruar me temina dhe fjongo të kuqe.

-O kal, o ish kali im i vyer! Sa më mungon! Qysh të humba unë ty o kalë?- vajtoi ai me zë të thershëm. Kali hingëriu ëmbël, ndërsa gomari, i cili mesa duket i kuptoi fjalët përgjëruese të zotit të tij të ri, nga xhelozia hodhi ca shkelma të fortë, duke e plandosur burrin me kurriz në pellgun e baltës.

-Këtu paska humor falas- i tha vizitori kurioz stallierit.

-Eja këtë javë, se janë bërë shumë shkarkime. Të gjithë ata që kanë humbur postet e larta,vijnë këtu, blejnë një gomar duke shpresuar që të krijojnë çetën e  tyre të gomarëve. Nëse e arrijnë këtë, themeluesi i çetës i hipën atij ponit atje. Ndërsa andej ku jetoni ju, nëse një drejtues humbet, nuk ble një gomar e shëtit me të, por një biçikletë, e shkon me të në punë. Kështu e ka vendi ynë.  Më besove tani?

Vizitori kurioz  tundi kokën në shenjë bindshmërie të plotë. Ai e vizitoi stallën gjatë gjithë javës që rrodhi, dhe qeshi me lot, tek shihte, ish burrat e shtetit kaq të njohur për publikun dhe popullin e tij, të blinin një gomar gjatë fushatës së pushtetndërrimit. Sa komike që iu dukën zotërinjtë të hipur mbi gomar, por veshur me këpucë të shtrenjta.

-Nuk më thua? Përse vesh kaq këpucë të shtrenjta? Jepja më mirë gomarit që të mbart kudo. – i tha ai disa gomar-drejtuesve. Ata me hipokrizi ndërruan temë dhe i folën për planet e tyre të mëdha shtetndërtuese.

Një ditë mbas zgjedhjeve të drejtuesve të rinj, vizitori nuk i besoi syve të tij. Gomarët e blerë para ca muajsh u rikthyen në stallë prej blerësve me kostum, kollare dhe këpucë të shtrenjta.  Ata i hipën automjeteve tejluksozë dhe larguan me zhurmë drejt kuvendit të sherrit.

-Ja këtij i thonë fitim. Gomarët i shes sa frëngu pulën. Ata i riblej për dy grosh mbas disa muajsh. Por fitimi më i madh e di ku është?

Vizitori i shkundi shpatullat duke u zgërdhirë.

-Këta gomarë janë bërë tani VIPA sepse mbi kurrizin e tyre kanë udhëtuar personalitete të njohura. Çdo qytetar ëndërron t’i bëjë ata pronën e tyre- u përgjigj stallieri dhe i uroi udhëtim të mbarë vizitorit kurioz emigrant…

Më Shumë

Distria Krasniqi kampione e Evropës në xhudo

Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior...

Dramë në kryeqytet, triumfon Trepça

Në një ndeshje dramatike, Trepça ka mundur Sigal Prishtinën me rezultat 85:86 (28:21, 20:19, 17:20, 20:26) dhe tani avancon në serinë gjysmëfinale 2:0. Për...

Lajmet e Fundit